Deputetë francezë në Tiranë: Reforma në Drejtësi, ekzemplare

TIRANË, 15 mars/ATSH/- Dy deputetet francezë, Jacques Maire dhe Liliana Tanguy, të cilët i përkasin Grupit Parlamentar të La Republique en Marche në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme të Asamblesë Kombëtare Franceze, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri në emër të Presidentit Macron.

Ata u pritën në takim nga Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Qëllimi i vizitës së dy deputetëve është forcimi i marrëdhënieve Francë – Shqipëri dhe familjarizimi i mëtejshëm me reformat e nisura prej vendit tonë në kuadër të hapjes së negociatave me BE.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Balla theksoi se “Franca është një nga vendet më të rëndësishme të BE dhe mbështet fuqishëm procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin  e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Jam i sigurt që në qershor Shqipëria do të hapë negociatat me BE , sikurse jam i sigurt në vijimin e një bashkëpunimi shumë të frytshëm me parlamentin francez”, tha Balla.

Ai shtoi se Shqipëria është një destinacion shumë i rëndësishëm jo vetëm në sektorin e industrisë, por ne kemi shumë për të mësuar nga sipërmarrja franceze për sa i përket turizmit.

Nga ana e tyre, deputetët francezë thanë se qëllimi i vizitës është jo vetëm për të diskutuar përpara zgjerimit të BE, apo kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE, por gjithashtu edhe për të përforcuar bashkëpunimin mes Francës dhe Shqipërisë. Ata theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në disa sektorë si në turizëm, ndërtim, transporte dhe në planin universitar.

Më tej, përfaqësuesit e parlamentit francez e konsideruar si ekzemplare Reformën në Drejtësi.

Të pyetur nga gazetarët nëse dalja e opozitës nga parlamenti e vështirëson hapjen e negociatave, deputeti Maire tha se “gjatë takimeve tona në Shqipëri kemi pasur takime edhe me qeverinë, edhe me opozitën. Ne e kuptojmë qëndrimin e secilës parti. Për momentin nuk duam të ndërhyjmë në debatin e brendshëm shqiptar. Por unë mendoj që për të patur sa më shumë sinqeritet në vendimmarrje këtu në Shqipëri, duhet edhe një konsensus nga ana e publikut. Duhet të kemi një lloj sqarimi se si Shqipëria i trajton marrëdhëniet me vendet fqinje. Ne duam të kemi parasysh edhe përpjekjet që bën qeveria shqiptare sidomos për Reformën në Drejtësi që është ekzemplare. Kemi nevojë për institucione që funksionojnë. Unë besoj se shqiptarët do të gjejnë zgjidhje për këtë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.