Cakaj: Shpresëplotë për çeljen e negociatave me BE në qershor

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Ministri në detyrë, Gent Cakaj siguroi homologun çek, se Shqipëria do të vijojë me reformat duke mbetur shpresëplotë se do të ketë një përgjigje pozitive për progresin e vendit në qershor.

“Kohët e fundit flitet për lodhje nga zgjerimi por kjo asesi nuk manifestohet në lodhje të popullit të Shqipërisë dhe institucioneve të saj për të vijuar reformat Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë axhendën pozitive të reformave dhe të mbesim shpresëplotë që vendet anëtare të BE-së do i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrjeve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Ne mbesim komuniteti më proeuropian në rajon”, tha ai në konferencën e përbashkët për mediet me kryediplomatin çek, Tomáš Petříček.

“Konkluzionet e fundit të Këshillit për Zgjerimin theksojnë se vendimi do të merret në qershor 2019. Nëse për arsye teknike dhe të brendshme të Bashkimit Europian, vendimi mund të shtyhet është çështje që nuk mund ta komentoj tani. Ajo që mund të them është se pavarësisht nëse do të ketë shtyrje në publikimin e raportprogresit për shkak të momentit elektoral në BE, ne tani nuk kemi sinjale që kjo shtyrje do të manifestohet edhe në shtyrje të vendimit politik për hapjen e mundshme të negociatave. Ajo çka mund të them është që sfida jonë është të marrim rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave nga Komisionit fillimisht dhe kjo është më me rëndësi sesa datat e vendimit”, shtoi Cakaj.

Më herët, ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Tomáš Petříček. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës rajonale të ministrit të Jashtëm çek, Petříček në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Shqipëri, i cili pati në fokus marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, integrimin në BE, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe situatën në rajon.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes dy vendeve dhe ranë dakord për hapjen e një kreu të ri bashkëpunimi mes tyre.
Ministri në Detyrë Cakaj falënderoi homologun e tij çek për mbështetjen e rikonfirmuar të Çekisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe të marrjes së kryesisë së OSBE-së si edhe në bashkëpunimin rajonal.
Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi rolin e Çekisë brenda Grupit të Vishegradit, i cili aktualisht kryesohet nga Sllovakia nën moton: “Vishegradi dinamik për Europën”, si dhe mbështetjen e Çekisë për Fondin e Ballkanit Perëndimor, të krijuar në gjurmët e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.
Ministri Petříček u shpreh i impresionuar nga ecuria e reformave në vend, duke vlerësuar dhe inkurajuar zbatimin deri në fund të të gjitha hapave të ndërmarra nga qeveria Shqiptare për të realizuar hapjen e negociatave me BE-në në qershor 2019.
Sikurse edhe më parë, ministri Petříček konfirmoi se Çekia është e gatshme për lobim në nivele të ndryshme për jetësimin e këtij hapi të rëndësishëm për Shqipërinë.
Palët konfirmuan se avancimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në proceset integruese është një sinjal pozitiv për rajonin, por dhe për sigurinë e vetë BE-së dhe procesin e zgjerimit.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira në aspektin dypalësh dhe u shpreh interesi që ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm politik të kthehej në bashkëpunim ekonomik.
U vlerësua mbështetja konkrete që Çekia do të ofrojë për asistencë në procesin e integrimit, në marrjen e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në të ardhmen si dhe u shpreh vullneti për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e të investimeve në fusha me interes të përbashkët si energjia, turizmi, bujqësia, e të tjera.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.