Bushati: Bojkoti i opozitës pengon integrimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 15 mars /ATSH – I. Vata/ – “Politika shqiptare sërish është në një rrethrrotullim. Opozita ka ndërmarrë një veprim in extremis, siç është djegia e mandateve parlamentare”, shprehet ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ndërsa thekson se bojkoti i opozitës pengon integrimin e Shqipërisë në BE.

Në vijim, Bushati shton se bojkoti është një veprim i dëmshëm dhe me pasoja që kërkon të “militarizojë” mendjen dhe artikulimin publik.

“Bojkoti e ka shoqëruar, për fat të keq, jetën parlamentare gjatë gjithë trajektores së demokratizimit të vendit që prej shembjes së regjimit komunist, duke mos shënuar nga ana tjetër suksese të prekshme në arritjen e objektivit politik. Por kësaj radhe ne përballemi me një situatë të paprecedentë, pasi djegia e mandateve është një rrugë pa kthim, çka e bën rrjedhimisht më të vështirë parashikimin për daljen nga rrethrrotullimi”, shton ai.

E megjithatë, shprehet Bushati nuk do shumë mend për të kuptuar që takimi i pritshëm në qershor i Bashkimit Europian, ku do të shqyrtohet edhe mundësia e fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, do të ndikohet nga kjo situatë.

“Është e vërtetë që BE-ja po përballet me sfida të panumërta brenda shtëpisë dhe vëmendja ndaj oborrit të vet nuk është e madhe. Ky realitet duhet të na bëjë edhe më të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për rrugëtimin tonë, pasi në BE askush nuk ka “oreks” të ulet në bisedime e të projektojë procesin e anëtarësimit me një vend, klasës politike të të cilit i mungon baza e kulturës politike, dialogu. Elementë këta, të trupëzuar edhe në të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit, që një vend aspirant për anëtarësim në BE duhet të përmbushë”, shprehet ai.

Në vijim të argumentit të tij, Bushati pohon se pikërisht rëndësia e përmbushjes së këtyre kritereve, jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit, e ka bërë BE-në që të zhvillojë mekanizma mbikëqyrës edhe për vetë vendet anëtare, në lidhje me sundimin e së drejtës.

“Nuk e di pse është kaq e vështirë për të kuptuar se rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e qartë e perspektivës europiane, është më i madh për ne sesa për BE në. E them këtë, pasi BE-ja ka jetuar për një kohë të gjatë pa Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të jetojë fare mirë edhe dekada të tjera pa ne. Dikujt mund t’i duket i ekzagjeruar ky konstatim, por përveç integrimit europian nuk shoh asnjë mundësi tjetër që Shqipëria të zhvillohet e demokratizohet më tej. Është një rrugë e vështirë, që kërkon reforma shtetkonsoliduese dhe mirëkuptim politik. Një gjë të tillë na e dëshmon edhe eksperienca e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, vende të cilat kanë pasur një traditë demokratike më të pasur se vendi ynë”, shprehet ai.

Po ashtu Bushati sjell në vëmendje përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së, krizat politike dhe kaosin në ’97 që e kanë kthyer pas.

“Për të ilustruar këtë rrezik ia vlen të kujtojmë se Shqipërisë së mesviteve ’90 iu ofrua mundësia për të nënshkruar një marrëveshje europiane me BE-në. Mirëpo, për shkak të krizës politike dhe kaosit që përjetuam në ‘97, u deshën rreth 10 vjet dhe vetëm në vitin 2006 nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila gjithsesi nuk parashikon të njëjtën shkallë integrimi siç parashikonin marrëveshjet europiane. Nuk humbëm një stacion, as një dekadë, por mundësinë e një brezi të tërë, i cili do të ishte përfituesi kryesor i Shqipërisë Europiane. Sot mund të ishim fare mirë në një tryezë me Bullgarinë, Rumaninë apo me Kroacinë, e cila deri në 1995 ishte e përfshirë nga flakët e luftës. Mund të ishim përfitues dhe kontribuues më të mëdhenj e me më shumë plagë të kuruara nga tranzicioni”, shprehet ish-ministri i Jashtëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.