Belsh/ Hapet zyra me një ndalesë, 150 shërbime për qytetarët

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, çeli sot zyrën me një ndalesë pranë bashkisë Belsh, e cila do të ofrojë mbi 150 shërbime publike të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Të pranishëm në këtë inaugurim ishin zv/kryeministri, Erion Braçe, kryetari i bashkisë së Belshit, Arif Tafani, deputeti i zonës, Musa Ulqini dhe Drejtori Ekzekutiv i ADISA, Lorin Ymeri.

Zyra me një ndalesë pranë ambientit të bashkisë në qytetin e Belshit është kolokimi i dytë i këtij lloji pas atij në bashkinë e Maliqit.

Po ashtu, qytetarët e Belshit do të mund të asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar “e-Albania” dhe në portalin “Shqipëriaqëduam.al” si dhe do të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike.

Ambientet ofrojnë standarde bashkëkohore të pajisur me sistem elektronik të menaxhimit të radhës për të reduktuar kohën e pritjes si dhe me infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara (PAK). Gjithashtu, kolokimi i ADISA do t’ju shërbejë edhe qytetarëve të Cërrikut, të cilët duhet të shkonin deri në qytetin e Elbasanit, duke u kursyer kohë dhe shpenzime.

Pas inaugurimit të zyrës me një ndalesë në bashkinë e Belshit, brenda muajit prill 2019 do të vijohet me hapjen e zyrave ADISA në bashkitë Patos, Divjakë, Shkodër, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.