Basha nga Durrësi: Nuk ka kthim pas deri në fitoren e qytetarëve

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi në një takim me të rinjtë e Durrësit, se shqiptarët kanë vendosur të marrin në dorë fatin e tyre dhe se nuk ka për të pasur kthim pas deri në fitoren e qytetarëve.

Sipas tij, garancia për këtë janë të rinjtë e studentët, duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre për protestat e dhjetorit.

“Mirënjohje edhe për pedagogët e Universitetit të Durrësit, që kanë qenë në krahun tuaj si rrallëherë prej ditës së parë të protestës së drejtë të studentëve që e solli pranverën në mes të dimrit dhe i parapriu bashkimit të shqiptarëve që e kanë marrë vendimin: Zot në shtëpinë e shqiptarëve nuk do jenë më kriminelët, hipokritët e oligarkët që kanë marrë peng qeverisjen dhe ekonominë”, tha Basha.

Ai u ndal në akuzat për shitblerje votash në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke thënë se tashmë është media ndërkombëtare që ka botuar fashikujt e dosjes së këtij krimi elektoral.

Duke iu referuar dorëzimit të mandateve nga opozita dhe hyrjes në Parlament të deputetëve të rinj nga listat e PD-së dhe LSI-së, Basha e cilësoi këtë të fundit si “peshkim të deputetëve”.

“Provokimet me këta të mjerët që i peshkon sa andej këtej do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët dhe  nga opozita duke filluar me të shtunën, në 16 mars me protestën e madhe që do të zhvillohet në Tiranë. Unë ju ftoj të gjithë të jemi bashkë për ti treguar botës, se koha kur vendin e sundonte një njeri me 5 kriminelë ka marrë fund. Shqiptarët kanë vendosur ta marrin në dorë fatin e tyre dhe nuk ka për të pasur kthim prapa deri në fitoren e qytetarëve”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga takimi në Durrës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.