Balla: PS nuk do të pranojë mandatet e opozitës

TIRANË, 15 mars /ATSH – I. Vata/ – “PS nuk do të pranojë mandatet nga radhët e opozitës”, ka deklaruar kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, duke folur për “TV Tema”, në lidhje me shterimin e listave shumemërore të PD-së dhe LSI-së për vakancat në Parlament.

Taulant Balla, ka deklaruar se PS nuk do të pranojë mandatet nga radhët e opozitës, pasi Kodi flet për shterimin e listave brenda koalicionit.

“Kodi flet vetëm për rastet e shterimit të listës brenda koalicionit, Kodi nuk ka parashikuar kur shteron lista në rastet kur partitë garojnë të vetme. Do të ishte e pakuptimtë që mandatet e një partie të shkojnë tek një parti tjetër. Nuk ka rëndësi se tek kush“, thotë Balla.

Në lidhje me apelin e ndërkombëtarëve për dialog politik mes palëve, Balla u shpreh se PS është e gatshme të dialogojë, por pa cenuar parimet e demokracisë.

“Dialog, kur të duan, si ta duan. Por negociata mbi parimet demokratike nuk ka. Pra negociata që shkelin Kushtetutën, negociata që shkelin funksionalitetin demokratik të vendit, nuk ka!”, thotë Balla.

Po ashtu Balla u shpreh se dialogu në Kuvend do të vazhdojë për miratimin e Kodit Zgjedhor.

“Dialogu në Kuvend do të vijojë për të garantuar një shumicë të cilësuar për të miratuar Kodin Zgjedhor duke analizuar edhe nevojën që ka ky proces përpara vendimit të rëndësishëm të qershorit”, thotë Balla.

Duke folur për protestën, Balla shpreh ata që do të ushtrojnë dhunë ndaj institucioneve shtetërore do të përballen me ligjin.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.