7 ura në nevojë emergjente për ndërhyrje, Qato: Kemi nisur projektet

TIRANË, 15 mars/ ATSH/ Në gjatësinë prej 3975 km rrjet të infrastrukturës kombëtare janë identifikuar gjithsej 652 ura, nga të cilat 30 prej tyre shfaqin shenja të dukshme amortizimi dhe 7 kanë nevojë emergjente për ndërhyrje. Shifrat u sollën nga drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar në tryezën e organizuar sot nga ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku për sigurinë e urave.

Qato raportoi rezultatet e inspektimit të kryer verën e vitit të shkuar duke theksuar se raporti tregon se 30 ura kanë shenja të dukshme amortizimi edhe për shkak të kohës së gjatë të shfrytëzimit të tyre.

“Raporti sugjeron për herë të parë hartimin e pasaportave për çdo urë duke mbajtur shënim të gjitha të dhënat e urave dhe mbi bazën e të cilave do të përpunohen të dhënat për projektimin e investimeve në to”, theksoi Qato, duke renditur edhe shkaqet e tjera që kanë sjellë në gjendje amortizimi urat në fjalë, si marrja e inerteve nga shtretërit e lumenjve, apo kalimi në to i mjeteve me tonazh më të rëndë sesa i lejuari.

“ARRSH është duke punuar me masa dhe projekte konkrete. Janë identifikuar 7 ura prej atyre me probleme që janë në nevojë emergjente për ndërhyrje. Janë marrë masat procedurale për hartimin e shtatë projekteve për urat në nevojë emergjente ndërhyrjeje. Këto ura janë: Ura e Leklit dhe Dragotit ku parashikohet ndërtimi i strukturave të reja duke ua lënë institucioneve të trashëgimisë si monumente kulture pas ndërhyrjes, ura e Zëmblakut që parashikon gjithashtu ndërtim të ri, ura e Kaludhit që parashikon forcim themelesh, sistemim dhe pastrim, ura e Vorës, e Tapizës dhe ura e Drojit që kërkojnë rikonstruksion total me një shifër totale të projektit prej 1 miliard 939 milionë lekë”, sqaroi Qato.

Projektet hapin rrugën për të kërkuar financime nga buxheti i shtetit, por edhe nga agjenci ndërkombëtare si asistenca e çmuar e Bankës Botërore, bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Deri më sot janë marrë masa përmes vendosjes së sinjalistikës vertikale në urën e Leklit, Dragotit, Vorës dhe Tapizës ku kufizuam edhe lëvizjen e mjeteve të rënda. Një javë më parë bëmë mbylljen e plotë të urës së Rrogozhinës dhe devijimin e të gjitha mjeteve në rrugë alternative”, vuri në dukje Qato.

Sipas saj, Autoriteti Rrugor Shqiptar tashmë ka një objektiv të qartë dhe vitit 2019 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë do të ndjejnë më shumë komoditet dhe siguri në rrugët kombëtare dhe në menaxhimin e tyre.

“Prioritet mbetet garantimi i sigurisë rrugore në të gjithë rrjetin kombëtar infrastrukturor, përveç aplikimit të standardizimit, praktikave më të mira të komunitetit europian si prioritet kyç për rritjen e performancës së ARRSH. Në fokus mbetet monirotimi dhe ndërhyrja jo vetëm për rritjen e sigurisë rrugore në ato pika të zeza të rrjetit, të cilat përbëjnë problem dhe ne tashmë i kemi të identifikuara, por edhe monitorimi i urave në të gjithë territorin, si pjesë e rrjetit të infrastrukturës”, theksoi Qato. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.