Shqipëri-Kosovë me kalendar të përbashkët kulturor për 2019


TIRANË, 14 mars/ATSH/- Ministrja e Kulturë Elva Margariti, vizitoi sot Prizrenin ku pati një takim me homologun e saj, Kujtim Gashi.

Takimi u zhvillua në zyrat e Ministrisë së Kulturës në Prizren dhe nga aty u tha se kalendari kulturor mbarëkombëtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do nënshkruhet brenda këtij muaji në Tiranë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se është i kënaqur me realizimin e projekteve të kalendarit të kaluar kulturore. Ai tha se bashkëpunimeve në mes dy shteteve do të jetë i vazhdueshëm.

“Në masë të madhe ky kalendar është përmbushur shumica e aktiviteteve të parapara janë përmbushur në mes të institucioneve tona dhe të Shqipërisë janë përmbushur. Edhe gjatë këtij viti kanë filluar disa aktivitete konkrete një nga ta do e kemi më 22 të këtij muaji në Galerinë Kombëtare të Shqipërisë dhe natyrisht që ka pasur çalime në disa institucione por në masë të madhe jam i kënaqur me realizimin e këtij kalendari. Kurse këtë vit do e kemi një dinamikë më të madhe dhe projektet do jenë më të prekshme”, tha ai.

Gashi tha po ashtu se gjatë takimit u dakorduan edhe për një kalendar të përbashkët në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe krijimin e një fondi të përbashkët kulturor për mbështetje të artistëve.

Ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti u shpreh se do vazhdojnë tutje që të mbështesin projekte të reja. Derisa krijimin e një fondi  të përbashkët kulturor dhe kalendarin kulturor në vende tjera e sheh si një mundësi më të madhe për ndërveprim.

“Kalendari është një marrëveshje formale por përtej kësaj ne gjithmonë kemi mbështetur të gjitha aktivitetet dhe të gjithë artistët në të dyja shtetet. Jam entuziaste që të marrim hapa të rinj që të çojmë përpara projekte të reja siç është edhe ajo e një kalendari edhe më të shtrirë duke pasur për eksperiencën e kalendarëve të viteve të mëparshme të vazhdojmë dhe të kemi të tjera me shtetet tjera fqinje dhe të kërkojmë edhe radhë të tjera të ndërveprimi”, u shpreh ministrja nga Shqipëria.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.