SHBA – Trump: Marrëveshja tregtare me Londrën ka potencial të pafund

UASHINGTON, 14 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump mburri sot potencialin gjigant që do të ketë një marrëveshje tregtare mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në çastin që negociatat mbi Brexit janë bllokuar në Londër.

“Qeveria ime është e gatshme të negociojë një marrëveshje të madhe tregtare me Britaninë e Madhe. Potenciali është i pafund!”, shkruan Trump në “Twitter”.

Përkrahësit e Brexit mbështesin shumë një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-në që do të arrihet menjëherë pas ndarjes.

Kritik i fuqishëm i multilateralizmit, Trump ka mburur shpesh herë meritat e një Brexit të ashpër në të kaluarën.

Medje në nëntor, ai kishte kritikuar edhe marrëveshjen e parë të arritur mes Theresa May dhe Bashkimit Europian. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.