Roth: Bojkoti i Kuvendit nga opozita në Shqipëri, bojkot ndaj Demokracisë

TIRANË, 14 mars /ATSH/ “E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare, sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi ku duhet bërë debati”. Kështu theksoi Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth në një intervistë për “Deutche Welle”, intervistë e dhënë pas takimit që pati në Gjermani me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në intervistë ai flet për përshtypjet pozitive nga takimi me ministrin Cakaj dhe rrezikun që sjell polarizimi politik.

“Fitova një përshtypje pozitive për kolegun e ri. Ai është një politikan shumë profesional dhe shumë kompentent në biseda. Bëra të qartë edhe një herë se edhe ne i vlerësojmë përpjekjet e deritanishme për reforma. Sidomos në reformën e gjyqësorit. Vetingu është një model unik për pastrimin e tërë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni. Bëra edhe njëherë të qartë se nevojiten reforma të mëtejshme, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që reformat duhet t’i komunikohen mirë publikut europian. Folëm edhe për politikën e brendshme. Polarizimi ndërmjet opozitës dhe qeverisë nuk është një fenomen shqiptar, por e konstatojmë me keqardhje edhe në shumë vende të tjera në tranzicion”, theksoi Roth.

“E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare, sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me akuzat për blerje të votës, Roth thotë se akuzat duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. “Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës”, tha Roth.

Por, a e rrezikon gjendja aktuale në Shqipëri çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE?

“Unë do të dëshiroja që, edhe nëse grindja është nevojshme, të mos dilet nga tema. Debati është eliksir i një demokracie të gjallë. Por është e rëndësishme që të ketë mirëkuptim thelbësor në disa çështje, pavarësisht se kush është në opozitë e kush në qeveri. Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive ne politiken e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse funksionon parlamenti”, theksoi ministri Roth.

Në lidhje me spekulimet se Maqedonia e Veriut mund ta marrë dritën jeshile për bisedimet, por jo Shqipëria, Roth tha se nuk i ka dëgjuar komente të tilla.

“Jo, këtë nuk e kam dëgjuar ende. Por këtu procedura është shumë e qartë: raporti i progresit të Komisionit Europian do të publikohet më 29 maj. Vitin e kaluar, në qershor, ne e shqyrtuam çështjen e anëtarësimit në BE me shumë dashamirësi si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut. Por nuk do të ketë automatizëm. Vendimi ynë do të bazohet te raporti i Komisionit. Në rastin e Gjermanisë fjalën e fundit e ka Bundestagu”, tha ai.

“Gjithçka është e hapur. Është ende në proces. Në muajt e ardhshëm mund të vazhdohet me reforma të rëndësishme. Sa më shumë reforma që të ketë në në muajt e ardhshëm, aq më mirë është për vendimin pozitiv”, përfundoi Roth. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.