Reforma në Drejtësi, model suksesi për t’u ndjekur nga vendet e tjera të Ballkanit

TIRANË, 14 mars/ATSH/- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, zhvilloi sot në ambjetet e ministrisë një takim me zyrtarë të nivelit të lartë të OGP (nisma e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, një ndër instrumentet më të rëndësishme për të nxitur transparencën qeveritare në nivel global dhe për të rritur pjesëmarrjen qytetare në jetën publike, duke përdorur teknologjitë e reja për të përmirësuar eficiencën administrative dhe luftuar korrupsionin).
Misioni i OGP kryesohej nga Joe Powell, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i iniciativës globale dhe Sandra Pernar, koordinator i Lartë Rajonal për Europën.
Zyrtarët e lartë u njohën me punën e Task Forcës Antikorrupsion dhe rezultatet e deritanishme mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi.
Joe Powell dhe Sandra Pernar sugjeruan që puna e Task Forcës dhe lufta kundër korrupsionit në shkallë të gjerë, të zhvillohet nëpërmjet një procesi transparent, ku qytetarët të jenë pjesë e tij.

Gjonaj i njohu zyrtarët e OGP  me punën e Qeverisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit konform ligjeve në fuqi, si dhe me ecurinë e Reformës në Drejtësi, e cila ka rezultate premtuese. Reforma në Drejtësi është një shembull pozitiv për t’u ndjekur edhe nga vendet e tjera të Ballkanit.

Zyrtarët e lartë vlerësuan arritjet e Qeverisë shqiptare dhe ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe u shprehën se ky model suksesi duhet të ndiqet edhe nga vendet e Ballkanit e më gjerë.
Ministria e Drejtësisë u dakordësua me OGP, se do të punojë në vazhdim për aktitivitete rajonale, për të prezantuar rezultatet e reformave të ndërmarra nga Shqipëria. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.