Protesta e 16 marsit, Kodheli: Opozita të demonstrojë në paqe

TIRANË, 14 mars/ ATSH- A. Fortuzi/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli gjatë një interviste televizive u shpreh se djegia e mandateve nga ana e opozitës është djegia e votës së qytetarëve, të cilëve u ka bërë thirrje të ruajnë qetësinë gjatë protestës, duke mos rënë pre e liderëve që kanë mendjen te pushteti dhe jo tek e mira e përbashkët e vendit. Kodheli gjithashtu thekson se PS nuk do pranojë mandate në tavolinë.

“Për të gjetur një analogji të djegies së mandateve na duhet të kthehemi një shekull më parë. Pra duhet të kthehemi shumë pas në kohë për të gjetur një ngjarje të tillë, që është e jashtëzakonshme për momentin e zakonshëm që po jeton vendi. Mandatet e djegura nga Partia Demokratike dhe opozita janë të qytetarëve dhe është vota e tyre që ka mbetur e papërfaqësuar, pra është djegur vota e qytetarëve. Kuvendi vijon normalisht punën. Dhe në këtë drejtim, ndihem keq kur shoh se ato që kanë ardhur sot në Kuvend e kanë bërë betimin, duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe për të përfaqësuar opozitën, etiketohen nga kjo opozitë që është larguar nga detyra e saj si tradhtarë, apo janë përjashtuar nga partia”, tha Kodheli.

“Ata s’janë opozita e re, por janë një opozitë e denjë, që buron nga lista respektive e partive opozitare. Ata do vijojnë të bëjnë betejën e tyre politike nga pozicioni që janë. Ne nuk pranojmë mandatet që s’na takojnë. Mjaftojnë votat që kemi marrë për të vijuar reformën. Opozitarët janë të mirëpritur të bëjnë opozitarin brenda Kuvendit”, tha ish-ministrja e Mbrojtjes.

“Shpresoj shumë që edhe PD të jetë në zgjedhjet lokale. Nuk më vjen mirë fjala ‘bastion’, ajo vjen nga revolucioni francez, jo në botën moderne ku duam të shkojmë. Nuk duhet të ekzistojnë bastionet, pasi tregon ekstremizëm. Ka votues ekstremë, pasi duhet ta mësojmë pak nga pak demokracinë. Atje ku funksionon sot demokracia ka tre shekuj demokraci”, shtoi deputetja e Partisë Socialiste, Kodheli.

Duke vijuar me zgjedhjet lokale të qershorit, Kodheli tha se shpreson shumë që persona me dinjitet dhe vizion nga Partia Socialiste të gjejnë mundësinë të drejtojnë dhe në zona ku opozita drejton sot. “I uroj shumë suksese deputetit Ndreu, i cili edhe pse ende nuk është zyrtarizuar nga kryesia e PS, pritet të jetë kandidat i PS për Lezhën, të fitojë zgjedhjet e qershorit. Ne jemi një forcë politike që kemi treguar se dimë të kthejmë identitetin dhe faqen e bukur Shqipërisë”, tha Kodheli.

Sa i takon protestës së 16 marsit, Kodheli tha se ka informacione për dhunë. “Informacione ka, lideri i PD e ka dhe shpreson fort të ketë përplasje e dhunë. I kërkoj shqiptarëve të tubojnë në bulevardin “Dëshmorët të Kombit”, siç u ka hije shqiptarëve, në paqe, pasi Tirana është kryeqyteti jonë dhe është i të gjithëve. Protestat janë primordiale në demokraci. Të pretenduarit për më shumë është thelbësore, por kjo kërkesë mund të bëhet në paqe. Kanë vdekur e ikur kohët kur tanket dilnin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ne si forcë treguam maturi kur ndodhi Gërdeci, nuk akuzuam te të huajt qeverinë, pasi ishim pranë hyrjes në NATO, ndërsa tani, ne nuk shpresojmë kaq shumë nga kjo opozitë, por të paktën maturi e jo dhunë për t’i lejuar vendit rrugën drejt integrimit në BE”, tha Kodheli, duke kujtuar çeljen e negociatave në qershor. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.