Ligji i sapomiratuar në Kuvend, 29 mijë invalidë përfitojnë mundësi për punësim


TIRANË, 14 mars/ATSH/ – Ligji i ri i nxitjes së punësimit, miratuar dje në Parlament, garanton më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimin e programeve nxitëse për aftësimin profesional të punëkërkuesve. Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, gjatë një interviste tek ERTV, theksoi se ligji i ri i vjen në ndihmë të gjithëve. Sipas saj, janë 29 mijë invalidë të punës që rezultojnë se janë të aftë për punë të lehta, që deri sot ishin lënë rrugës.

“Me këtë ligj të miratuar përfitojnë punësim dhe janë me përparësi këta persona. Të gjitha institucionet publike dhe ato private detyrohen me këtë ligj që 1 në 25 persona të të punësuarve të tyre, ta kenë nga kategoria e personave me aftësi të kufizuar. Kush nuk mund ta bëjë këtë, është i detyruar që të derdhë çdo muaj, 100 për qind të pagës minimale në Fondin Social, fond i dedikuar për nevojat e personave me aftësi të kufizuar. Për ndërmarrjet me më shumë se 25 persona, 1 në 50 punonjës duhet të punësohet një individ me aftësi të kufizuara. Punëdhënësit që nuk e bëjnë këtë, do duhet të derdhin një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo person me aftësi të kufizuara që duhet të kishin punësuar”, u shpreh Hysi. 

“Ne kemi patur një ligj të nxitjes së punësimit që në vitin 1995, por ky ligj nuk i qëndronte aktualitetit dhe për më shumë nuk është zbatuar. Ligji i ri ka katër objektiva. E para t’i krijojë mundësi dhe shanse të barabartë për punësim qytetarëve shqiptarë”, tha ajo.

“E dyta të ofrojë shërbime të punësimit, pra trajnime, këshillim, aftësim, për punësim. E treta, rrit përgjegjësinë e institucioneve publike të cilat nuk kanë më detyrë thjesht të deklarojnë vendet e lira të punës, por të ofrojnë edhe të gjithë formimin profesional të punëkërkuesve dhe e katërta është zgjerimi i rrethit të kategorive që përfitojnë nga programi i nxitjes së punësimit”, tha Hysi.

Nënkryetarja e Kuvendi theksoi se kategoritë që përfitojnë janë,  të rinjtë nën moshën 29 vjeç pavarësisht pozitës së tyre sociale. Po ashtu, Hysi bëri të ditur se nga ky ligj përfitojnë të gjithë kryefamiljarët që kanë familjarë me aftësi të kufizuar. “Më pas, kategoria e personave mbi 55 vjeç. Personat që janë mbi 55 vjeç e lart, burra ose gra, pavarësisht se mund të jenë të kualifikuar dhe kanë përvojë, nuk i punësonte as privati dhe as publiku. Kjo kategori përfiton me ligjin e ri. Romët, egjiptianët, viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës gjithashtu, si dhe për herë të parë invalidët e punës, të cilët janë të aftë për punë të lehta”, shtoi Hysi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.