FOTO/ “Antigona”, fuqia e një tragjedie në kohët moderne

TIRANË, 14 mars /ATSH/ – Drama ”Antigona” po shoqëron publikun nga e enjtja e do vijojë deri mbrëmjen e së dielës në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Vepra shkruar nga Jean Anouilh, përkthyer nga Ekrem Basha e sjell regjisorja Andrea Brusque. “Antigona” vjen me gjithë fuqinë që një tragjedi e sjellë në kohët moderne mund të ketë.

”Lufta për pushtet, revolta ndaj tiranit, dashuria, të gjitha ngjyrat që një shfaqje mund t’ju sjellë”, shkruan teatri.

Këtë herë regjisorja franceze i ka besuar rolin kryesor atë të Antigonës aktores së njohur Laura Nezha. Ky rol ka sjellë sukses për aktoren Nezha, e cila është vlerësuar nga publiku, por dhe kritika. Antigona e Jean Anouilh, është një heroinë që përcjell mesazhe që i kalojnë kufijtë. Me interpretimin e aktores Laura Nezha është historia e një vajze të re që thotë jo, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon, dhe kjo liri e të shprehurit do t’i kushtoj jetën. Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët.

Rolet në dramë interpretohen nga Laura Nezha, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela, Klejdi Metaj.

“Antigona” e Jean Anouilh është një përshtatje e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të Antigonës, Poliniku. Gjithashtu vepra u interpretua se përfaqësonte luftën e lëvizjes së rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi gjatë kulmit të pushtimit nazist. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.