Berat, tregues në rritje për zhvillimin e qytetit

TIRANË, 14 mars/ATSH/- Bashkia Berat zhvilloi analizën vjetore për vitin 2018, në të cilën drejtoritë përkatëse të bashkisë ballafaquan objektivat dhe realizimet në secilën prej tyre.

Në këtë analizë vjetore ishte i pranishëm edhe Prefekti i Qarkut të Beratit, Harilla Dafa. Drejtorët e drejtorive kishin përgatitur një analizë të detajuar për performancën e punës së tyre gjatë vitit 2018, duke parashtruar realizimet, shifra e fakte, synimet e tyre, parë këto në një këndvështrim analitik e krahasues.

Kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, vlerësoi performancën e mirë të disa drejtorive, puna e të cilave krahasuar me vitin paraardhës ka njohur një rritje të treguesve të saj, por pa ngurruar të kritikojë disa sektorë të veçantë, të cilët duhet të ishin treguar më efikas, më të vendosur, më aktiv dhe më impenjativ në punën e tyre. Kryebashkiaku Sinaj kërkoi nga administrata e bashkisë që të rrisë frymën e bashkëpunimit jo vetëm midis drejtorive të institucionit, por edhe me qytetarët, në mënyrë që t’iu përgjigjen në kohë dhe me efikasitet problemeve të tyre, duke shmangur zvarritjet burokratike të ndonjë zyrtari.

Titullari i bashkisë, Sinaj, theksoi ndër të tjera se, edhe pse qyteti ka njohur një zhvillim të gjithashëm në çdo aspekt, do të duhej bërë edhe më shumë, andaj ai i ftoi të gjithë punonjësit e administratës të jepnin maksimumin në realizimin e objektivave, por edhe në përmbushjen e pritshmërive që kanë qytetarët ndaj bashkisë. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.