Bare: Nuk jemi kundër protestave, opozita të mos nxisë incidente

TIRANË, 14 mars /ATSH A.ALLA/ – “Nëse një demokraci nuk ka mekanizmat institucionalë që të pengojë këtë marrëzi, atëherë Shqipëria futet në këtë vorbull dhe pastaj duhet të ikin gjithë shqiptarët. Ne jemi në një fazë kritike e dëgjuat dhe dje Zaevin ku u shpreh se në asnjë rast ne si opozitë nuk kemi dalë kundër zhvillimit të demokracisë në Maqedoni. Kjo situatë ku nuk merret vesh shqiptari me shqiptarin është një marrëzi”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Besnik Bare gjatë një interviste televizive.

”Instutucionet e drejtësisë po bëhen dhe janë në proces ku keni dëgjuar dhe deklaratat e Ambasadës Amerikane dhe të Bashkimit Europian, opozita po pengon dhe po ngadalëson këtë proces sepse kanë frikë. Dhe po të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme opozita nuk futet në parlament”, tha Bare.

Ajo shtoi se ,”opozita duhet të jetë në parlament dhe Partia Socialiste i ka dorëzuar fletën e bardhë dhe i ka thënë opozitës ndryshojeni ligjin e zgjedhjeve konform rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe bëni çdo propozim që doni ju dhe nëse institucionet ndërkombëtare i miratojnë këto ndryshime ne jemi dakort. Pse nuk vijnë ata në parlament dhe të punohet për kodin elektoral, por nuk paraqiten se nuk duan. Pra e gjithë kjo është një fasadë pasi opozita nuk do që i gjithë ky proces i nisur nga ne dhe i përkrahur nga institucionet ndërkombëtare të shkojë deri në fund”.

I pyetur mbi protestën e opozitë më 16 mars Bare tha se, ”askush nuk është kundër protestave ajo që ne kundërshtojmë janë mesazhet e dhunës që jepen nga politika të cilat mund të gjenerojnë në dhunë dhe pastaj në efekte të pakontrollueshme. Le të mblidhen 1 milionë shqiptar nëse mund t’i mbledhin por mesazhet e dhunës janë të papajtueshme dhe ajo që i them dhe njerëzve që do jenë aty se prona publike është pasuri e të gjithëve, dhe gjithçka është bërë nga taksat tona”.

”Protestoni, shani politikanët por tregoni kulturë duke mos thyer asnjë xham, sepse një xham i thyer i kushton çdo familje shqiptare dhe ne nuk jemi aq të pasur sa të thyejmë xhama, të rrënojmë veprat e artit pasi këto hyjnë në shtëpinë e të gjithëve”, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste Besnik Bare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.