Zaev: Në asnjë rast, nuk duhet cenuar integrimi i vendit në BE


TIRANE, 13 mars/ATSH/ – “Në asnjë rast, nuk duhet cënuar e ardhmja integruese e vendit në Bashkimin Europian”, deklaroi sot Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

I pyetur nga gazetarët lidhur me protestat e opozitës dhe djegien e mandateve, Zaev tha se “nuk isha në opozitë para 100 vjetësh, janë thjesht 21 muaj më parë kur isha në opozitë, por nuk lejuam të japim përshtypjen para europianëve se jemi kundër fillimit të bisedimeve të vendit tonë me BE-në”.

“Ne jemi miq të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, dhe i dëshirojmë të mirat popullit shqiptar. Vijmë si miq dhe japim mesazhin paqësor që nëpërmjet dialogut të ketë zgjidhje”, u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

“Siç e thashë, ne ishim opozitë para 21 muajsh, ky nuk është larg për t’u kujtuar se çfarë ndodhi madje të bëjmë paralele me vendin tuaj. Ne jemi miq të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, por në kohën kur unë isha opozitë raportet e SHBA, BE flisni për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por ku flisja me Hahn, Mogherinin, me gjithë lidershipin e europian lusja për vendin tim që t’u jepet datë e bisedimeve pasi ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet”, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se “e kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, të kemi kujdesin tonë ndaj shtetit pa marrë parasysh a jemi në pushte a në opozitë. Prandaj obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si parti politike, por ekzistojmë edhe për shkak të qytetarëve dhe në emër të kësaj si mik i Shqipërisë dëshiroj të mirat për këtë vend miqësor, për këtë popull miqësor. Çdokush ka të drejtën e demonstratave në formë demokratike, por gjithmonë të kemi kujdes për ardhmërinë e vendit”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.