Ukshini viziton familjen e dëshmorit të UÇK-së në Kavajë

TIRANË, 13 mars/ATSH/ – I Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka vizituar familjen e dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara, në 20 vjetorin e rënies së tij. Gjatë vizitës në qytetin e Kavajës, Ukshini është pritur nga prindërit e tij, Lulëzimi dhe Xhemailia, babai dhe nëna e heroit Indrit Cara, si dhe të afërm të tjerë të kësaj familje me traditë atdhetare. Dëshmori Indrit Cara, me profesion ushtarak, i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Londra e Britanisë së Madhe.

“Sot, isha për vizitë në familjen Cara në Kavajë, në përvjetorin e 11 të pavarësisë së Kosovës dhe në 20 vjetorin e rënies së heroit të UÇK-së, Indri Cara, i cili në janar të vitit 1999 lë Londrën dhe niset për në Kosovë, i bashkohet radhëve të UÇK-së. Me prindërit e tij, z. Lulëzim dhe znj. Xhemailie, biseduam për angazhimet kombëtare të Indritit në Londër, për momentin e takimit të tyre të shkurtër me Indritin, pas 8 vitesh qëndrimi në Britani të Madhe. Ishte emocionues po ashtu, rrëfimi z. Lulëzim dhe znj. Xhemalie për kthimin eshtrave të Indritit në vendlindje dhe nderimi që i bëri populli dhe qyteti i Kavajës.  Prindërit e tij me krenari tregojnë dekorata e shumta që ka marrë nga bashkia e Kavajës Këshilli i Rrethit, që e shpallën “Dëshmor të Atdheut”, pastaj dekoratën e Presidentit të Republikës me dekoratën më të lartë: “Shqiponja e Artë”.

Sipas Ukshinit sakrificat e heronjve të UÇK-së, janë gurëthemeli i pavarësisë së Kosovës.

“Dhimbja është e madhe për z. Lulëzim dhe znj. Xhemalie, por ata ndjehen gjithmonë krenar se sakrifica e djalit të tyre dhe lufta e madhe e bashkëluftëtarëve të tjerë të UÇK-së u bë gurëthemeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. I gjithë qyteti i Kavajës dhe familja e tij përshëndeten çdo ditë dhe krenohen me birin e tyre të shenjtë, i cili do të jetë përherë atje, i gjallë, në qendër të qyteti. Në ndarje, prindërve të Indrit u them se familja Cara është pjesë e kujtesës dhe e lirisë së Kosovës, sepse ajo i dha asaj birin e saj më të mirë”, u shpreh Ukshini.

Sipas tij, shteti i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës ndaj familjes Cara dhe gjithë atyre familjeve që ju bashkuan luftës çlirimtare në Kosovë.

“Shteti i Kosovës i është përherë mirënjohëse familjes Cara dhe gjithë atyre familjeve nga Shqipëria, të cilët iu bashkuan luftës çlirimtare në Kosovë dhe i dolën në krah popullit të Kosovës për t’i dhënë fund errësirës së gjatë shekullore. Në mbyllje të vizitës, në qendër të qytetit të Kavajës bëra homazhe dhe vendosa një buqetë lulesh tek busti i heroit Indrit Cara. Largohem me plotë emocioni nga Kavaja e Indrit, lufta dhe sakrifica e të cilit i hapi rrugë intervenimit ushtarak të NATO-s në luftën e Kosovës dhe bëri të mundur që atdheu ynë të bëhet pjesë e gjeografisë globale si vend i lirë dhe i pavarur”, përfundoi Ukshini.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.