Qeveria i jep lejen e posaçme “Trans Adriatic Pipeline”, AG, Zvicër

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave i dha sot lejen e posaçme “Trans Adriatic Pipeline”, AG, Zvicër, për ndërtimin dhe operimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në territorin e Shqipërisë.

Pas marrjes së kësaj leje, në përputhje me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës (MQP-në) dhe legjislacionin në fuqi, investitori i projektit ka përgjegjësinë të mirëmbajë gazsjellësin TAP operativ gjatë të gjithë vlefshmërisë së lejes së posaçme.

Investitorit të projektit i jepet kjo leje e posaçme për ndërtimin dhe operimin e gazsjellësit Trans Adriatik dhe të gjithë infrastrukturës shqiptare, që shërben për qëllimet e transmetimit të gazit natyror dhe lidhjes së tij me sistemet e vendeve fqinje, sipas kushteve dhe termave të MQP-së.

Sistemi i gazsjellësit është projektuar të funksionojë me një kapacitet transporti që mund të rritet nga kapaciteti fillestar, prej 10 miliardë metrash kub gaz (BCM) në vit, deri në 20 miliardë metra kub gaz (BCM) në vit.

Mbajtësi i lejes së posaçme nuk është i detyruar të themelojë si dhe të veprojë nëpërmjet një shoqërie në Republikën e Shqipërisë dhe nuk i imponohen kritere të mëtejshme lidhur me statusin e vet të veprimtarisë së biznesit, sipas legjislacionit shqiptar.

Leja e posaçme lëshohet për një periudhë 30-vjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe afati i saj mund të shtyhet.

Brenda 30 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, shoqëria TAP AG ekzekuton pagesën prej 30 milionë lekësh, të përcaktuar sipas vendimit nr. 713, datë 25.8.2010 të Këshillit të Ministrave. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.