Pendavinji: Ligji për punësimin plotëson kërkesat e kohës

TIRANË, 13 mars/ATSH- A. Fortuzi/- Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Pendavinji e ka cilësuar ligjin për nxitjen e punësimit, që po diskutohet sot në Kuvend, si një nismë tepër të rëndësishme, që i përgjigjet kërkesave të kohës për punësim.

Deputeti socialist i qarkut të Korçës gjatë ligjëratës së tij në Kuvend, solli në vëmendje gjithashtu dhe debatin për ngritjen e një termocentrali në qytetin juglindor, e theksoi se Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Korçës kanë vepruar me përgjegjshmëri duke mos dhënë lejen mjedisore për ngritjen e këtij termocentrali.

“Një nga shtyllat kryesore të fushatës elektorale ku u mbështet PS ishte punësimi. Ligji aktual është hartuar në vitin ’95. Ofruesit e punës sot nuk janë më ato të vitit ’95. Administrata publike kërkon kushte të reja dhe ligje konform kohës. Kërkojnë kualifikime të tjera. Nëse në ’95 tregu kërkonte juristë të mirë, sot jemi të tejngopur me juristë, por duhen profesionistë të fushave të tjera. Panorama e një familjeje që vuan për të gjetur një hidraulik apo elektricist të zot, na duhet të bëjë të mendojmë edhe për këtë pjesë të rëndësishme të tregut. Prandaj duhet nxitja e punës në këtë drejtim. Uroj që këto ndryshime të marrin dhe votat e krahut tjetër të Kuvendit dhe jo vetëm të mazhorancës”, tha Pendavinji.

Duke folur për debatin për termocentralin që mund të ndërtohej në Korçë, deputeti Pendavinji, falenderoi ministrin e Turizmit dhe Mjedisit që nuk firmosi lejen mjedisore, ndërsa vlerësoi si mjaft të rëndësishme punën e bashkisë dhe ekspertëve mjedisorë që bënë të mundur një analizë të hollësishme të të mirave dhe risqeve të këtij projekti.

“Oferta për ngritjen një termocentrali, duke u ndërthurur me projektin TAP, në dukje ishte tepër pozitive, pasi do ndihmonte një qytet të ftohtë për nga temperaturat si Korça. Deri këtu qeveria ka dhënë leje për të nisur procedurat e vlerësimit”, tha deputeti socialist.

“Por, – shtoi Pendavinji, – ambientalistët, aktivistë dhe banorët e zonës ngritën zërin dhe shqetësimin e tyre për pasojat e ngritjes së këtij termocentrali. Paralelisht më këta, bashkia e Korçës bëri analizat e saj dhe në përfundim vuri në peshore të mirat që përfitojnë qytetarët nga njëra anë dhe efektet mjedisore, jo vetëm në një periudhë afatshkurtër, por analizoi efektet 10 apo 20-vjeçare. Kryetari bashkisë pas kësaj analize i kërkoi ministrive përkatëse të mos miratonin këtë projekt. Me të njëjtin nivel përgjegjshmëria nuk u firmos leja mjedisore nga ministri Klosi. Interesi te qytetari është primar dhe ne e tregojmë në çdo rast këtë”, u shpreh Pendavinji. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.