Marku: Vetingu, motivim për të kryer detyrën me devotshmëri

TIRANË, 13 mars/ATSH- A. Fortuzi/ – Kryeprokurorja Arta Marku ka zhvilluar analizën vjetore të punës në Prokurorinë e rrethit Shkodër. Marku ka theksuar para prokurorëve se Vetingu nuk është ndëshkim, por motivim për ta bërë detyrën me devotshmëri, si një mundësi për kthim dinjiteti.

Në analizën vjetore, Marku i bëri thirrje prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pa u ndikuar politikisht. Ajo shtoi se viti i shkuar nuk ka qenë i lehtë për organin e akuzës.

Sipas saj, “pavarësi do të thotë ushtrimi i funksioneve të pavarura nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e jashtme. Keni mundësinë që të pandikuar nga askush të jepni më të mirën në çdo vendimmarrje”.

“Do të kërkoja prej jush që të mos e shikoni procesin e Vetingut si një ndëshkim, por si një mundësi për rikthimin e dinjitetit. Vazhdoni të punoni dhe keni gjithë mbështetjen time institucionale dhe personale. Po kështu keni mbështetjen e faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Marku.

Kryeprokurorja akuzoi politikën se ka drejtuar shpesh gishtin nga organi i akuzës, duke vështirësuar punën e prokurorisë “Në qendër të çdo konflikti apo debati politik u është referuar ju. Politika i ka dhënë vetes të drejtë që të gjykojë çdo çështje që mund të ketë prekur interesat e saj, pa pasur dëshirë dhe vullnet për të pritur, për të lejuar prokurorët të bëjnë punën e tyre”, tha Marku.

“Terreni ku keni ushtruar funksionin tuaj ka qenë i vështirë. Por pavarësisht kësaj ju ia keni dalë. Kërkoj prej jush që të jenë të përgjegjshëm në çdo vendimmarrje. Pavarësi do të thotë përgjegjësi e shtuar, pavarësi nuk do të thotë kaos ku secili të interpretojë ligjin sipas ligjit apo interesit”, vijoi Kryeprokurorja Marku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.