Lehtësitë fiskale, nxitje për investime të reja

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Lehtësitë që përfitojnë bizneset nga paketa fiskale e vitit 2019 po shërbejnë si nxitje për të rritur investimet e reja.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi vizitoi mjediset e një biznesi në Tiranë, i cili ka përfituar së fundmi nga lehtësitë fiskale të parashikuara në Paketën Fiskale 2019.

Në këtë vizitë ai shoqërohej nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, Dionis Imeraj.

Drejtuesit e subjektit “Ivodent”, i cili operon në fushën e shëndetësisë, teknikave e materialeve që lidhen me to, si dhe në ofrimin e kurseve të formimit profesional për studentët e huaj dhe shqiptarë, vlerësuan masat që ka ndërmarrë qeveria për të lehtësuar barrën fiskale, gjë e cila do t’i ndihmojë ata që të vijojnë me shtimin e investimeve dhe rritjen e kapaciteteve pritëse për studentët.

Gjatë fjalës së tij, Haxhi tha se janë rreth 1 mijë tatimpagues me xhiro nga 8-14 milionë lekë që tashmë do të përfitojnë nga shkalla e reduktuar për tatimin mbi fitimin.

Në DRT Tiranë numri i bizneseve aktive që janë subjekt i tatimit mbi fitimin është 9685.

Falë ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, vetëm në DRT Tiranë janë 3007 të punësuar që kanë përfituar nga ulja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi në masën 10%.

Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka në administrim 47158 biznese aktive dhe është drejtoria me numrin më të madh të tatimpaguesve në rang rajonal.

Në lidhje me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale nga DRT Tiranë janë informuar 1400 tatimpagues në sportele për ndryshimet në Paketën Fiskale 2019, për periudhën janar- shkurt. Po ashtu janë informuar edhe 1414 tatimpagues në mjediset e ushtrimit të aktivitetit ekonomik.

/m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.