Kuvendi shpall thirrjen për kandidatët pranë Komitetit Europian

TIRANË, 13 Mars /ATSH/ -Kuvendi i Shqipërisë shpall hapjen e fazës së parë të aplikimit për paraqitje të shprehjes së interesit për anëtar/e të Shqipërisë pranë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman ose Degradues (CPT).

Kuvendi i Shqipërisë, është njoftuar për fillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarit të Shqipërisë pranë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman ose Degradues (CPT).

Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman ose Degradues (CPT) është një organ i specializuar i Këshillit të Evropës për monitorimin e institucioneve të privimit të lirisë. Sipas Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Johuman  ose Degradues, të vitit 1987, CPT autorizohet të monitorijë trajtimin e personave të privuar nga liria.

CPT përbëhet nga ekspertë të pavarur dhe të paanshëm, si: juristë, avokatë, mjekë, ekspertë në çështje të burgjeve ose të policisë. Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës ka një përfaqësues në këtë organ monitorues me mandat 4-vjeçar (me të drejtë ri-zgjedhjeje). /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.