ITALI – Conte: Marrëveshja me Kinën nuk bie ndesh me BE-në dhe NATO-n

ROMË, 13 mars /ATSH-DPA/ – Italia nuk do të bjerë ndesh me aleatët e saj, Bashkimin Europian apo NATO-n me planet e saj për të nënshkruar marrëveshjen me Kinën mbi projektin ”Belt and Road Initiative” (BRI), deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte.

BRI-ja është një projekt shumë i madh infrastrukturor që ka për qëllim të lidhë Kinën me Euroazinë dhe Afrikën.

Italia pritet të nënshkruajë një memorandum për të diskutuar mbi të, javën e ardhshme, gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Romë.

”Marrëveshja e propozuar është tërësisht për qëllime ekonomike dhe tregtare dhe nuk bie ndesh me pozicionin tonë në NATO apo në sistemin e integruar europian”, tha Conte për ”Corriere della Sera”.

Italia mund të jetë shteti i parë i G7-ës që nënshkruan projektin, pasi SHBA, Japonia dhe vende të tjera të BE-së e shohin me shqetësim, si një mjet i Kinës të për të shtrirë ndikimin e saj në glob.

BRI-ja është konsideruar nga kritikët si një kurth financiar për vendet që  nënshkruajnë këto projekte infrastukture dhe që më vonë nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë koston e tyre Kinës.

Conte tha se Italia duke qenë një vend i zhvilluar ekonomikisht, është shumë më pak e cënuar nga kolonizimi kinez sesa vendet e tjera, që janë pjesë e këtij projekti.

Ai tha gjithashtu se qeveria e tij do të ketë kujdes maksimal për mbrojtjen e interesave kombëtare, për mbrojtjen e infrastrukturës strategjike, përfshirë telekomunikacionet, si edhe do të  shmangë investimet grabitqare, transferimin e njohurive apo teknologjive kryesore./ /esko/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.