Haradinaj-Mogherinit: Dialogu mund të vazhdojë pa e hequr taksën

PRISHTINË, 13 mars/ATSH/ – Kryeministri Ramush Haradinaj iu kundërpërgjigj përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, e cila apeloi sërish për heqjen e taksës për produktet serbe.

Ajo deklaroi se ditën që do të hiqet taksa, do të ftojë një takim të ri për dialogun e që do të sillte një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit.

Kryeministri Haradinaj, deklaron se dialogu nuk duhet të lidhet me taksën, pasi edhe bisedimet kishin dalë jashtë binarëve përpara se të vendoseshin këto masa të shtetit kosovar.

“Mungesa e transparencës, inkurajimi i propozimit të shkëmbimit të territoreve dhe moszbatimi i marrëveshjeve ekzistuese – këto janë arsyet. Dialogu mundet dhe duhet të vazhdojë, pa e lidhur atë me taksën”, shkroi Haradinaj. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.