Gjermeni: Rehabilitimi i konvikteve, kushte bashkëkohore për 1800 studentë

TIRANË, 13 mars /ATSH-A.ALLA/ – ”Numri i studentëve që pritet të akomodohen pas rehabilitimit të konvikteve do jetë 1800 studentë. Projekti parashikohet të nisë këtë vit dhe do zgjasë 30 muaj”, u shpreh deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni gjatë seancës parlamentare mbi projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficiencës energjetike, faza III”.

”Me miratimin e grantit shtesë me vlerë 2.9 milionë euro në këtë fazë të tretë vlera e këtij projekti arrin në total 9.46 milionë euro financuar nga ana e KfW-së dhe 1.98 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit për mbulimin e kostove lokale dhe TVSH-së. Janë premtuar 1 milion euro grant nga qeveria gjermane si faza e katërt për vijimin e rehabilitimit të godinave të tjera të mbetura të konvikteve të Universitetit të Tiranës në kuadër të këtij programi”, u shpreh Gjermeni.

Ajo vijoi se “rikonstruksioni i godinave të konvikteve sipas parimeve të eficiencës së energjisë synon njëherazi të ulë në mënyrë të ndjeshme kostot e energjisë dhe si rrjedhojë ulen dhe kostot e akomodimit për studentët. Parimet e eficiencës së energjisë sigurojnë dhe ruajtjen e mjedisit duke përmbushur dhe angazhimet që kemi për zhvillim të qëndrueshëm”.

“Kursimi i energjisë ndikon në reduktimin e faturave financiare që duhet të paguajnë studentët gjithashtu përbën dhe një nga kushtet themelore për zhvillimin ekonomik të një vendi. Programi do mbulojë në mënyrë të konsiderueshme masat themelore të komfortit për këta studentët duke filluar nga instalimet sanitare deri tek masat e sigurisë së tyre”, përfundoi deputetja e Partisë Socialiste, Englantina Gjermeni. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.