Ekonomi: Në dy vite, u rehabilituan 4 godina konviktesh pas 27 vjetësh

TIRANË, 13 mars /ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi u shpreh sot se, shuma e të tre granteve të qeverisë qjermane do të shkojë gati 10 milionë euro dhe do të bëjë të mundur rehabilitimin e 9 godinave duke siguruar akomodimin e 2900 studentëve.

Në fjalën e saj në Kuvend gjatë shqyrtimit të pr/ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficiencës energjetike, faza III”, Ekonomi tha se, “marrëveshja e financimit faza e tretë ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë që akordon financimin e një granti prej gati 3 milionë euro do t’i bashkohet financimeve të akorduara më parë nga Qeveria gjermane dhe miratuar nga ky parlament në vitet 2017 dhe 2018”.

Kjo marrëveshja, tha Ekonomi, “ka të bëjë me eficiencën e energjisë në konvikte dhe rehabilitimin e tyre”.

“Në dy vitet para të këtij projekti u rehabilituan rreth 4 godina pas 27 vjetësh pa asnjë ndërhyrje në këto godina. U rregulluan rreth 16 mijë m2 sipërfaqe, u përmirësuan 236 dhoma dhe në to do të akomodohen rreth 1088 studentë, duke sjellë një kursim energjie prej 20 %”, tha Ekonomi.

“Shuma e të tre granteve do të shkojë gati 10 milionë euro dhe do të bëjë të mundur rehabilitimin e 9 godinave duke siguruar akomodimin e 2900 studentëve. Pakti për Universiteti ishte dëshmi reale e përpjekjes që bëri Kryeministri për të ndërtuar një demokraci funksionale të bashkëveprimit me shoqërinë”, u shpreh ajo.

/gj.mima/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.