7 deputetët e rinj të opozitës bëjnë betimin në Kuvend

TIRANË, 13 mars /ATSH – I. Vata/ – Kuvendi nisi sot seancën plenare me betimin e shtatë deputetëve të rinj të opozitës, pas marrjes së mandateve nga KQZ

Seanca e sotme plenare nisi me raportin e përmbledhur për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj dhe betimin e 7 deputetëve që vijnë nga lista shumemërore e PD-së dhe LSI-së.

Kryetari i Kuvendit, Garmoz Ruçi njoftoi seancën se në Kuvend u depozituan edhe dy vendime të tjera nga KQZ për dhënien e mandatit të deputeteve në listën shumemërore të PD-së për qarqet Kukës dhe Korçë.

Këshilli u mblodh sot para seancës për të verifikuar edhe dy mandatet e deputetëve të tjerë dhe ngarkoi Klotilda Bushkën për paraqitjen e një raporti të përmbledhur për 7 deputetët e rinj.

KQZ me vendimet 41, 42. 43, 44. 45 dhe me vendimet 61, 62 ka vendosur dhënien e mandatit të deputetit Lefter Maliqit nga lista shumemërore e PD-së në qarkun Berat. Majlinda Halilaj nga lista shumemërore e PD-së qarku Tiranë, Elda Hoti nga lista shumemërore e LSI-së qarku Lezhë, Edlira Hyseni nga lista shumemërore e LSI qarku Durrës. Etiola Braha nga lisa shumemërore e LSI Gjirokastër, Alban Zeneli nga lista shumemerore e PD-së qarku Kukës, si dhe Ligoraq Karamelo nga lista shumemërore PD qarku Korçë.

Pas verifikimit të mandateve rezulton se janë respektuar kërkesat e Kodit Zgjedhor.

Pas betimit, 7 deputetët janë zyrtarisht pjesë e Kuvendit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.