Pasuria e një vendi qëndron tek “truri”

TIRANË, 12 mars/ATSH- A. Fortuzi/ – Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me 373 studentët ekselentë fitues të platformës “Punë të Mbarë”, të cilët janë tashmë pjesë e administratës publike, u shpreh se “truri” është moto e zhvillimit të një vendi.

“Meritokracia është një betejë e vështirë. Por kjo është një betejë e fituar dhe lufta vazhdon e ka shumë për të bërë. Në fund të ditës vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri për atë që kanë, por për atë që dinë”, tha Rama.

“E përsëris shpesh, ne jemi vendi dytë më i pasur për burimet ujore. Izraeli ka probleme ujin, por ato e trajtojnë ujin nga burimi te rrënja e pemës, e menaxhojnë në mënyrë perfekte, pasi kanë trurin. Shumëkush thotë se kemi ujë, minerale, naftë, ça të pengon të bësh pra? Si bëje pra? Pasuria e një vendi nuk është në tokë, është në kokë”, shtoi Rama. “Janë institucionet dhe administrata baza. Po të shohësh vendet, ato që janë më të zhvilluara, kanë administratë më të fortë”, tha Rama.

“E gjitha është te institucionet, dallimin e bëjnë institucionet. Ky është moment i rëndësishëm ndryshimi, kur flitet për meritën është e padiskutueshme që kjo ka ndodhur këtu”, tha Rama.

“Ky është lajm shumë i mirë, por mos mendoni se do dalë në lajme. Në lajme del studenti ngelës e akuzon pedagogun për korrupsion. Ju 370 njerëz që i kanë kushtuar jetën e tyre librave nuk dilni në lajme. Dalin në lajme këto që thonë ‘ky vend nuk bëhet mër vlla’”, shtoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.