Mali i Munellës, atraksion turistik dhe burim jetese për banorët

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Në fshatin Gjegjan të Pukës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi zhvilloi një aktivitet me banorë dhe ekspertë të zonave të mbrojtura, ku prezantoi propozimin për shpalljen e malit të Munellës si zonë të mbrojtur.
Diskutimi për rëndësinë dhe vlerat e zonave të mbrojtura, për skanimin e të gjitha atyre që janë pjesë e kësaj harte apo të atyre që pritet ti shtohen kësaj liste, është një nga më të rëndësishmit për ministrin Klosi. Kjo, pasi zonat e mbrojtura jo vetëm ruajnë dhe trashëgojnë vlerat natyrore karakteristike sipas zonave të ndryshme në Shqipëri, por edhe sepse janë atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj.
Një nga propozimet e reja që vjen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është shpallja e malit të Munellës si zonë e mbrojtur, duke pasur parasysh vlerat që ka kjo zonë, por edhe sepse është habitati i vetëm natyror në Shqipëri ku riprodhohet rrëqebulli i Ballkanit.
“Ne vijmë vetë këtu me njerëzit, dëgjojmë çfarë mendojnë njerëzit, dëgjojmë çfarë perspektive ka zona në sytë e vetë banorëve të zonës, dhe pastaj marrim një vendim që natyrisht do të kalojë në qeverinë shqiptare, por që është një vendim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e banorëve të këtij komuniteti. Pra, mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të ndajmë sot një shqetësim shumë të madh. Do ta lëmë që të vazhdojë erozioni, të vazhdojë shpyllëzimi i zonës dhe të vazhdojmë të jemi indiferentë, apo të pavëmendshëm karshi shkatërrimit të një prej pasurive më të mëdha kombëtare që kemi në zonën pyjore të vendit apo të gjithë së bashku, institucionet lokale, komuniteti dhe ne institucionet shtetërore do bëjmë një veprim që do të çojë në një drejtim tjetër”, tha ministri Klosi.
Kjo është arsyeja, pse ministri thotë se ka nisur këtë diskutim të hapur fillimisht me banorët e zonës, tek të cilët ndikimi do të jetë i drejtpërdrejtë.
“E para, do të ketë rregulla shumë të forta për menaxhimin e zonës së mbrojtur. Nuk mund të kemi sukses në turizëm në qoftë se e kemi vetëm në det dhe rërë. Ne na duhet të bëjmë atë që e kanë bërë shtetet e tjera që kanë turizëm 12-mujor. Po të shikosh numrin e turistëve që shkojnë në Austri në të 12 muajt e vitit ka pothuajse të njëjtin numër turistësh. Në qoftë se ne do të mendojmë që Shqipëria duhet të transformohet në një destinacion turistik, ku më mirë sesa këtu në pyllin e Munellës, në të katër bashkitë e marra së bashku, duke shtuar pyjet, duke shtuar arsyet për të ardhur dhe për ta vizituar, duke shtuar agroturizmin, ne mund të kemi turizëm”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /a.a//j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.