KQZ marrëveshje me Prokurorinë: Hetim me përparësi kush cenon zgjedhjet

TIRANË, 12 mars/ATSH-A. Fortuzi/ – Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë firmosur sot një marrëveshje bashkëpunimi për të rritur ndërveprimin mes institucioneve në garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm e demokratik.

Marrëveshja e nënshkruar sot mes Kryeprokurores Arta Marku dhe kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, gjatë aktivitetit të organizuar nga OSBE për dekriminalizimin, ka në thelb rritjen e shpejtësisë së hetimeve për veprat penale që cenojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe rritjen e ndërveprimit mes dy institucioneve në funksion të këtij hetimi.

Sipas marrëveshjes, detyrimet e KQZ janë zhvillimi trajnimeve për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve dhe në denoncimin e veprave penale që prekin sistemin e zgjedhjeve. Gjithashtu KQZ ka për detyrë në bazë të kësaj marrëveshje të dërgojë brenda kohës dhe afateve të paracaktuara dokumentacionin e kërkuar nga Prokuroria për hetimet që lidhen me veprat penale të sipërcituara.

Sakaq Prokuroria do ketë për detyrim të rrisë shpejtësinë e hetimit për veprat penale që cenojnë zgjedhjet. Prokuroria gjithashtu do trajtojë me prioritet kërkesat e KQZ për verifikimin e thelluar për “garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen, apo që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu ka për detyrë të bëjë sesione trajnuese në KQZ për veprat penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe ka për detyrë të dërgojë pranë KQZ informacion statistikor për ecurinë e hetimeve të këtyre veprave, sa herë kjo t’i kërkohet nga KQZ. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.