KQZ: Ligji i dekriminalizimit po vepron

TIRANË, 12 mars/ATSH/ “Ligji i dekriminalizimit po vepron, por ne nuk duhet të ndalojmë, të vetëkënaqemi apo të pretendojmë se beteja mbaroi”, deklaroi sot Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri në një aktivitet të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.

Zguri veçoi ndër nismat politike gjurmëlënëse të dekadës së fundit, nismën për dekriminalizimin e politikës dhe të funksioneve publike.

“Dekriminalizimi është sot një proces që ka produkt. Produkt i tij nuk janë thjesht karrierat politike apo administrative të ndërprera në mes, apo ato të mbetura në tentativë.
Produkti i dekriminalizimit matet me vetedijen ekstremisht të lartë të shoqërisë për politikën e pastër, me sensibilitetin e thellë ndaj fenomenit të kapjes, me vigjilencën shembullore të opinionit publik dhe intolerancën ndaj ofertës së kalbur dhe korruptive politike”, tha ai.

Sipas Zgurit, “për shkak të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, tendenca e krimit për të pushtuar politikën dhe bashkëjetesa politike me kontigjentin kriminal duket se po shkon drejt fundit”.

Për të arritur deri këtu, Zguri theksoi se “rruga nuk ka qenë e lehtë”. “Presioni ka qenë i madh, tentativat për t‘iu fshehur ligjit dhe për të anashkaluar veprimin e tij, të shumëllojshme. Jo gjithmonë institucionet kanë folur me të njëjtën gjuhë, jo gjithmonë standardi i matjes dhe i vlerësimit ka qenë i njëjtë”, tha Zguri, ndërsa shtoi se “sot rruga është shtruar dhe institucionet flasin me një gjuhë”.

Shenjë e këtij realiteti, sipas Zgurit, “është memorandumi i sotëm mes KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, dy institucione kryesore të përfshira në fushatën për pastrimin e politikës”.

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku u shpreh se “kjo marrëveshje thekson vullnetin e përbashëkt institucional për të bashkëpunuar në funksion të një procesi zgjedhor në përputhje të plotë me ligjin, një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian”.

“Jam e bindur se ky është një hap pozitiv për procesin zgjedhor, dhe jam e bindur se do t’i shërbejë këtij procesi”, tha ajo.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.