Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 18% më shumë çështje të regjistruara

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja, u njoh në mbledhjen e sotme me raportin e aktivitetit vjetor për vitin 2018 të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

I pranishëm në komision për të raportuar lidhur me aktivitetin e institucionit të tij ishte komisioneri Robert Gajda.

Gajda u shpreh se treguesit për çështjet e reja të regjistruara, çështjet e trajtuara dhe vendimet e dhëna nga Komisioneri përgjatë vitit 2018 janë rritur. Konkretisht, sipas raportimit të komisionerit Gajda, janë rritur me 18% çështjet e reja të regjistruara, me 37% çështjet e trajtuara dhe me 76% vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Sipas raportimit, ankesat lidhen me fushat si vijon: fusha e të mirave dhe shërbimeve (135), fusha e punësimit (123), fusha e arsimit (28), fusha me objekt mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve (23).

“Komisioneri për të Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2018 ka marrë 232 vendime për ankesat individuale dhe 2 rekomandime për çështje ex-offico, të cilat kanë patur një fokus një target grup të caktuar. Gjithashtu, Komisioneri në vijim të procedurave të shqyrtimit të ankesave, ka dhënë 7 sanksione me gjobë”, tha gjatë raportimit komisioneri Gajda, që gjatë fjalës së tij u ndal edhe në iniciativat e Komisionerit, nxitjen e ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit me aktorë të tjerë, si edhe prioritetet e reja të institucionit.

Relatori i çështjes, deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni dha sugjerimet e tij lidhur me raportimin dhe shprehu konsideratën pozitive për performancën vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Për raportin e paraqitur, së bashku me çështjet e ngritura gjatë pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët, komisioni do të përgatisë një projektrezolutë për t’ia përcjellë më pas seancës plenare për miratim.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.