“Bukuroshja e Adriatikut” mbërrin për të katërtën herë në Durrës

TIRANE, 12 mars /ATSH/ -Kroçera “La Belle de L’Adriatique” mbërriti mbrëmjen e kaluar në Durrës duke shmangur detin e trazuar dhe motin e keq gjatë lundrimit nga ishulli i Korfuzit-bëhet e ditur nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual të Durrësit.

Anija turistike, e cila ishte programuar të mbërrinte në Durrës sot rreth orës 7.00 u ankorua në kalatën 5 të portit më të madh të vendit tonë.

169 turistë, kryesisht nga Franca e më pak nga Zvicra u nisën sot me autobuzë drejt Tiranës, qyteti që kanë zgjedhur të vizitojnë, përveç qytetit bregdetar.

Që nga mesi i muajit shkurt  të këtij viti kroçera “La Belle de L’Adriatique” ka ardhur  katër herë në Durrës me 593 turistë gjithsej.

Gjatë këtij sezoni turistik ajo pritet të ankorohet edhe pesë herë të tjera në portin e Durrësit.

Itinerari i kroçerës përveç Durrësit përfshin edhe portet e Vlorës dhe Sarandës, si dhe Dubrovnikun, Tivarin (Bar) dhe Korfuzin. Kroçera me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg vjen në Durrës për të tretin vit radhazi./e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.