Borchardt: Parlamenti legjitim, mund ta votojë reformën zgjedhore

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt deklaroi sot se parlamenti është legjitim ndërsa protestat janë një e drejtë, por duhet të jenë paqësore.

Borchardt tha se “anëtarët e Parlamentit në çdo vend të botës janë të lirë dhe kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan të jenë pjesë e parlamentit apo jo”.

Gjithashtu ai nxiti autoritetet “t’i japin përgjigje akuzave për shitblerje votash, pasi është vënë në rrezik besimi i publikut”.

“Siç theksohet në raportin e fundit të ODIHR, autoritetet duhet t’i japin përgjigje akuzave për shitblerje votash, pasi është vënë në rrezik besimi i publikut”, tha Borchardt gjatë fjalës së tij në tryezën teknike për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, me pjesëmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë këtij aktiviteti të organizuar nga OSBE, dy institucionet do të nënshkruajnë edhe një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë.

“Akuzat politike për integritetin e shtetit minojnë besimin e publikut, nxis pjesëmarrësit të fokusohen në dekriminalizimin e kandidatëve në zgjedhje”, theksoi Borchardt.

“Jemi shumë pranë zgjedhjeve të qershorit, por Shqipëria po kalon një moment kritik. Për fat të keq ndryshimet e kërkuara dhe reforma zgjedhore nuk është votuar, ka ngecur në Kuvend”, tha Borchardt.

“Reforma zgjedhore kërkon 84 vota. Nuk e di nëse ata që janë futur në parlament janë në favor të reformës, por votimi i tyre është i ligjshëm nga pikëpamja juridike. OSBE rekomandon dialog për reformën zgjedhore”, tha Borchardt.

Në lidhje me pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit, ambasadori u shpreh se, “në dijeninë time nuk është marrë ende vendim nëse opozita nuk do të hyjë në zgjedhje, por sigurisht inkurajojmë hyrjen në zgjedhje.”

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.