Basha në Urën Vajgurore, takim me biznesin e vogël

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një vizitë në Urën Vajgurore ku po takon përfaqësues të biznesit të vogël.

“Gjendja në Urën Vajgurore përfaqëson gjendjen e biznesit në të gjithë Shqipërinë. Qeveria nuk ka kthyer as 1/10 e taksave që ka marrë tek njerëzit dhe ekonomia”, – tha Basha.

Investimet publike, sipas tij, “janë në krizë totale, subvencionet për fermerët janë zero”.

“Mbështetja me investime infrastrukturore për uljen e kostos së prodhimit, duke ulur koston e transportit janë në rekordet më të ulëta historike të 28 viteve. Kurrë nuk është investuar më pak se tani për rrugë, kanalizime, ujësjellës, energji apo për teknologjinë e informacionit. Ku kanë shkuar këto para? Ku kanë shkuar 1.9 miliardë euro taksa më shumë që u ka marrë qytetarëve? Ku kanë shkuar qindra-milionë euro më shumë që mblidhen çdo muaj vetëm nga 300 lekëshi që ka vendosur mbi karburantin e ashtuquajtur taksë e qarkullimit?” – tha Basha.

Këto para, sipas tij, “shkojnë në duart e 5 personave që kanë fituar PPP, koncesione dhe gara të dyshimta me kompani të regjistruara brenda natës”. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.