ALUIZNI u përgjigjet kërkesës së banorëve, legalizon pallatin e braktisur nga investitori

TIRANE, 12 mars/ATSH/- ALUIZNI ka përfunduar procesin e legalizimit për banorët e një tjetër pallati (Godinë banimi dhe shërbimi 8 kat+ 2 kat nëntokë), të braktisur nga investitori.

Banorët, të ndodhur në kushtet e mos ekzistencës së ndërtuesit, kanë filluar vetë procedurat për legalizimin e apartamenteve të tyre.

Në bashkëpunim me Drejtorinë Tirana 2, ata kanë bërë të mundur përfundimin e procedurave dhe pajisjen me Certifikatë Pronësie në emër të banorëve.

Drejtori i Përgjithshëm, Artan Lame u bëri thirrje të gjithë banorëve, në rastet kur ndërtuesi braktis objektin, që të bëhen bashkë për të arritur përmbylljen e procesit.

“E kam thënë sa herë me jepet dhe rasti se të gjithë banorët që i futen procedurës së legalizimit të një pallati, duhet të bëhen bashkë për plotësimin e dokumentacionit që i vihet në dispozicion ALUIZNI-t. Duhen të jeni bashkë që procedura të mbyllet shpejt dhe gjithësecili që ka investuar të jetojë i qetë në shtëpinë e tyre. ALUIZNI nuk mund të jetë produktiv, nëse qytetarët nuk do të jenë bashkëpunues. Duhet të jeni bashkë që gjithçka të përfundojë shpejt dhe ti jepet fund makthit disa vjeçar”, deklaroi Lame.

Lame theksoi se ”me hyrjen në fuqi të Ligjit për Kadastrën, fillon sfida e madhe e Qeverisë shqiptare për të reformuar gjithë sistemin e regjistrimit të pronës”.

Administratorja e pallatit, e cila ishte personi që merrte kontakt me drejtorinë e ALUIZNI-t, tha se “ishte e vështirë që t’i bëja bashkë gjithë banorët, por kur të gjithë u bindën për të plotësuar dokumentet, procesi mori fund brenda shumë pak kohësh”.

Lame gjeti rastin për të thënë se termi Hipotekë nuk do të ekzistojë më me hyrjen në fuqi të ligjit të Kadastrës.

Pallati i legalizuar ka marrë lejen e ndërtimit më datë 07.06.2008 nga Bashkia Tiranë. Nuk është pajisur me leje shfrytëzimi, pasi ndërtuesi ka realizuar shtesa anësore, tej lejes së ndërtimit. Subjekti ndërtues nuk ka paraqitur deklarim për legalizim për pallatin, dhe pas njoftimit të kryer nga ALUIZNI, nuk i është përgjigjur për vazhdimin e procedurave. Në këtë mënyrë, ALUIZNI ka vijuar me procedurat e legalizimit në emër të banorëve sipas përcaktimeve të VKM-së 19, të 2017.

Procesi i legalizimit të pallateve të braktisura, është një prej proceseve më të komplikuara pronësore, për shkak të shtrirjes në kohë të fenomenit, të konflikteve të trashëguara mes pronarëve të trojeve, të ndërtuesve dhe vetë banorëve, për shkak të mungesës së dokumentacionit, të mosmarrëveshjeve mes vetë banorëve, e kështu me radhë.

Megjithatë, falë impenjimit të strukturave dhe bashkëpunimit të banorëve, deri tani vetëm në Tiranë është bërë e mundur të legalizohen rreth 140 pallate të tilla me rreth 860.000 m2 ndërtim dhe 10.400 apartamente dhe njësi shërbimi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.