Zv/ministri Bejtja: Prioritet shfrytëzim i qëndrueshëm i burimeve. Trefishuam sipërfaqet e pyllëzuara

TIRANË, 11 mars/ATSH/- Shfrytëzim i qëndrueshëm i sektorit minerar dhe të hidroenergjisë është një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare. Kështu u shpreh gjatë një interviste në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, i cili ndër të tjera foli dhe për revokimin e lejeve minerare në zonat e mbrojtura, investimet në sektorin e hidrokarbureve dhe për statusin e minatorit. 

Task forca e ngritur me urdhër të Kryeministrit, erdhi si një zhvillim i menjëhershëm që vinte si reagim i banorëve të zonës, ekspertëve të fushës së mjedisit, për shkak dhe të dëmtimeve që ka pasur zona, flasim për zonën e Krastë-Vrion në Krujë, për shfrytëzimin e inerteve që krijonin dëmtime në zonë”, – tha Bejtja.

“Dëmtimet janë të dukshme dhe panorama ishte e dukshme. Vendim ishte i menjëhershëm. Në këtë sens nuk duam të ndërpresim zhvillimin e këtij sektori, por duhet të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa kompromentuar brezat e rinj dhe të ardhmen, gjithashtu dhe të tashmen sa i takon peizazhit. Task Forca ishte e ngritur për këtë zonë, ndërkohë që ka kontrolle në të gjitha lejet e dhëna, për respektimin e marrëveshjen dhe mënyrës së shfrytëzimit. Mund t’ju sjell në vëmendje, të sipërfaqes që pyllëzohet, është tre herë më madhe se ajo që është shpyllëzuar”, – tha Bejtja për ATSH-në.

“Ka pasur luhatje sektori minerar, pasi lidhet me bursën e minerareve. Dy vitet e fundit ka pasur kushte më të mira. Kemi një rritje prodhimi në tërësi. Po ta krahasojmë më dhjetë vite më parë, jemi në dyfishim”, – shtoi zv/ministri.

“Prioriteti ynë është shfrytëzimi i qëndrueshëm, jo që të mos mbarojë kurrë, por që të garantojë jetesën e banorëve të zonave edhe kur ky burim të mos jetë më. Në sektorin e hidrokarbureve kemi tre kontrata të reja. Kontrata me “Shell”-in, që po zhvillon projektin në fushën e Shpiragut për të rritur rezervat e naftës në vend. Rezultatet tepër inkurajuese, mbi 5600 metra gërmimi, Pusi 1 e 2 kanë përfunduar, i tretë ka pasur disa ndryshime, ndërsa i katërti po ecën me ritëm të kënaqshëm. Këto burime po rrisin bilancin e pozitiv të rezervës së naftës. Në të ardhmen pra, do kemi më shumë investim në sektorin e rafinimit dhe gazit natyror”, tha Bejtja.

Ai shtoi se po bëhet dhe një skanim në sektorin e hidroenergjisë.

“Ka pasur 11 raste të devijime nga 116 projekte në total. Kemi vënë re spostime të veprës pa leje, në funksion dhe të ekzigjencës që kanë patur kompanitë, por pa lejen e institucioneve kompetente. Po shikohen rast pas rasti me synim respektimin e kontratës, ligjit dhe përgjegjësisë sociale dhe të përgjegjësisë mjedisore në zbatim të projekteve të tyre”, tha Bejtja.

Lidhur me dixhitalizimin e hartës së hidrokarbureve, Bejtja shtoi se janë “500 mijë paund financim nga Departamenti Amerikanë i Shtetit përmes SHELL dhe mbulon dixhitalizimin e plotë të arkivës dhe procesi mbyllet rreth fundit të vitit 2019. Dixhitalizimi të gjithë hartës gjeotektonike dhe të hidrokarbureve për të ditur se ku i kemi dhe sa rezerva kemi”, – tha Bejtja.

Ai shtoi se falë punës së mirë që po bëhet, është rritur kërkesa nga kompanitë e huaja, ashtu si edhe eksporti, që ka pësuar rritje të ndjeshme.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.