Wanda Nara: Icardi dëshiron të qëndrojë te “Interi”

TIRANË,11 Mars /ATSH/ -Wanda Nara përcjell optimizëm në ambientin zikaltër. Bashkëshortja dhe menaxherja e Mauro Icardit, u përpoq të sheshojë kontradiktat mes klubit dhe sulmuesit argjentinas në emisionin sportiv “Tiki Taka” ku është e ftuar e përhershme.

Modelja argjentinase theksoi edhe njëherë se Icardi dëshiron të vazhdojë karrierën te Interi dhe në momentin që do të hedhë pas krahëve problemet në gju do të jetë sërish pjesë e skuadrës.

Për ndeshjen ndaj Spal, Wanda nara tha se, “Icardi qëndroi në shtëpi me fëmijët, jo se kishte frikë nga fishkëllimat, por ishte diçka e vendosur në bashkëpunim me klubin. Tani flas më shumë me Marotta-n sesa me Mauron, për të shmangur keqkuptime në një moment kaq delikat. Duhej të fitonim, fituam dhe jam shumë e lumtur”.

Për takimin me Interin ajo tha se, “Preferoj të mos flas shumë, sepse për ne interistët do jetë një javë shumë e vështirë, me dy ndeshje delikate, ndaj çdo gjë që them mund të interpretohet keq. Them vetëm që ishte një takim pozitiv, si ndodh gjithnjë kur palët përballen me seriozitet. Mauro dëshiron të vazhdojë të luajë për Interin, shpresojmë që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt. Unë punoj që ai të ndihet mirë, dua paqe. Kemi zgjedhur edhe një avokat interist”.

Për rikthimin në derbi Wanda Nara u shpreh se, “Mauro nuk e ka shpikur problemin në gju, duhet të kurohet natë e ditë. Po i jep prioritet shëndetit në këtë moment, sepse ndoshta nuk ndihet i rëndësishëm për skuadrën. Kemi kërkuar që klubi ta rehabilitojë publikisht? Nuk është e vërtetë. Ndoshta kur të flasë vetë Icardi, njerëzit do kuptojnë shumë gjëra”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.