Siguria në stadiume, Policia e Shtetit vullnet për të marrë angazhimin që i takon

TIRANË, 11 mars/ATSH/- Ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj është shprehur se siguria në stadium ka një faturë, që duhet paguar nga dikush. Ministri Lleshaj ishte i pranishëm në tryezën e përbashkët mes Qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, me temë: Siguri, Reformim, modernizim.

Lleshaj tha se Policia e Shtetit është e detyruar më ligj të ofrojë dhe garantojë siguri për qytetarët e Republikës. “Por këtu vlen ta theksojmë që policia është një strukturë e dhënë; që ka disa parametra të dhënë, ka një madhësi të dhënë, ka kapacitete të caktuara. Dhe kemi dy gjëra që duhet t’i mbajmë në konsideratë: kapacitetet edhe kompetencat! Kompetenca është një çështje e madhe, e cila duhet zgjidhur me ndryshime ligjore, të cilat duhet t’i bëjmë të mirë menduara në mënyrë që pas dy vjetësh të tjera të mos futemi në një diskutim tjetër ndoshta po për të njëjtën gjë”, u shpreh Lleshaj.

“Dhe e dyta, ka të bëjë me kapacitetet. Policia ka kapacitete të caktuara të cilat janë parashikuar për të ofruar siguri publike, por jo për të shkuar mbas çdo rasti individual sepse është e vështirë”, tha Lleshaj.

“Kemi shumë pak policë, por shumë probleme dhe shumë barrë, të cilat i ngarkohen policisë edhe kur asaj nuk i takojnë në mënyrë origjinale. Policia është e gatshme për ta vijuar këtë diskutim në nivel ekspertësh. Jemi të gatshëm që ta fillojmë këtë proces, do ta fillojmë, do të ngarkojmë personat kompetentë për të marrë përsipër përgjegjësitë nga ana  e policisë, por do të na duhet gjithsesi t’i mendojmë të dyja këto”, tha ai.

Sipas Ministrit, “Sa herë të kërkojmë diçka nga policia do të jemi të qartë që kjo do të ketë edhe një faturë e cila nga dikush duhet paguar për arsye se na duhet të rrisim kapacitetet. Me kapacitetet aktuale policia ka vështirësi, edhe sikur t’i ketë kompetencat ligjore, ka vështirësi ta përballojë volumin shumë të lartë të aktiviteteve sportive që kryhen në të gjithë vendin“, tha ministri Lleshaj

Ai tha se, sipas një përllogaritje të vogël, ne na duhet që për çdo ditë sportive duhet të kemi rreth 500 deri në 700 policë të angazhuar vetëm me këtë çështje, e cila do të thotë: orë shtesë, kapacitete shtesë e të tjera me radhë.

“Unë besoj që përveç kësaj do të kemi edhe një hapësirë tjetër ku mund të ndërhyjmë dhe kjo ka të bëjë me që të rregullojmë ato gjëra që nuk kërkojnë as kapacitetet, as investime, por kërkojnë organizim”, tha ministri Lleshaj.

“Përfundimisht, dua të garantoj vullnetin e plotë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për t’u angazhuar në këtë proces, i cili është një proces shumëpalësh, ku ne do të luajmë me seriozitetin më të lartë, pjesën që na takon”, tha Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.