Rehabilitohet pas 30 vitesh Qendra Shëndetësore në Pezë, standard i ri shërbimi për 5600 banorë


TIRANË, 11 mars/ATSH/ Për herë të parë pas 30 vitesh, qendra shëndetësore në Pezë u rehabilitua plotësisht duke garantuar standard të ri shërbimi për 5600 banorët e zonës.

Kryeministri Edi Rama solli pamje të këtij transformimi rrënjësor që përfaqëson “një tjetër kartolinë ndryshimi”.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër kartolinë të një ndryshimi që veç kush nuk do nuk e sheh, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh Rama.

Saimira Kazazi, doktoreshë në këtë qendër shëndetësore, kujton se sa të vështira ishin kushtet në këtë godinë para rikonstruksionit.

“Në këtë godinë ishte e vështirë të qëndroje nga lagështira dhe ambientet që ishin drejt shkatërrimit. Është bërë rikonstruksioni i gjithë godinës dhe shihet se si tani, nuk ka qenë asnjëherë më parë”, tha ajo.

Edhe infermierja e kësaj qendre, Lindita Kurti tha se, godina nuk ka qenë asnjëherë në këtë gjendje. “Për ne është një privilegj i madh dhe në këtë ambient të rritet vërtetë dëshira për të punuar”, tha ajo.

Në kuadër të programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në gjithë vendin deri në fund të mandatit, janë përmirësuar kushtet e punës për mjekët dhe infermierët, si dhe ofrohet një shërbim më cilësor për pacientët./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.