Projekti për TEC-in në Korçë rrezikonte ndotje mjedisore

TIRANË, 11 mars /ATSH A.ALLA/ – “Për ndërtimin e TEC-it në Korçë bëhet fjalë për interesin e një investitori privat  për ndërtimin e një TEC-i goxha të madh me një fuqi të madhe duke shfrytëzuar gazin e TAP-it”. Deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi sqaroi në një intervistë televizive projektin që tashmë u refuzua edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit.

“Deri këtu, – tha ai, – nuk ka asgjë të keqe, pasi ata aplikuan për të marrë statusin e investitorit strategjik pranë komitetit të investimeve strategjike. Ky proces filloi, por ngeci, sepse projekti nga investitorët propozohej të ndërtohej shumë afër qytetit, ishte një distancë mjaft e vogël, më pak se 1 km nga qyteti dhe për një investim kaq të madh padyshim që kërcënimi për të rritur ndotjen që ky TEC çliron ishte i madh’’, tha Peleshi.

”Pati një shqetësim të madh nga qytetarët  dhe institucionet priteshin të jepnin përgjigjen e tyre. Lejet merren vetëm kur je në konform me ligjin, siç ndodhi sot, ku ministri Klosi pas kërkesës së kryetarit të bashkisë, e cila shprehte shqetësimin e gjithë qytetarëve të Korçës, ka bërë një vlerësim të shpejtë dhe ka refuzuar lejen mjedisore të këtij investimi, çka do të thotë që investimi në këtë zonë nuk do realizohet’’, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi.

Duke iu kthyer situatës politike, Peleshi vuri në dukje se “kjo që po ndodh me opozitën është një situatë pa precedent, është jashtë rregullave të lojës në demokraci”.

“Ajo që po ndodh nuk është e lehtë e as pozitive për vendin dhe për politikën shqiptare. Kjo është një lojë jashtë vijës së kuqe. Kur kemi folur për dialog me opozitën na është thënë ‘ju presim në bulevard’, pra nuk është çështja e një beteje politike ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, po këtu çështja është mes demokracisë dhe anarkisë. Ne nuk e dimë si qeveriset vendi nga rruga apo si mund të vendoset për çështjet që janë në rendin e ditës pra jemi në një situatë shumë të vështirë. Nuk mund të ofrohet një zgjidhje për opozitën për sa kohë ka djegur mandatet dhe kërkon nuk e di se çfarë”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi.

“Duam që vendet e parlamentit të mbushen dhe ne kemi nevojë për presionin e opozitës, pasi nuk mund të qeveriset mirë në qoftë se nuk kemi opozitë që të bëjë presion me sfida dhe alternativa qeverisëse, ajo të vendos në pozita pune dhe të bën më të përgjegjshëm’’, tha ai. ”Partia Socialiste në qarkun e Korçës ka filluar punën e vet me strukturat për garën elektorale. Axhenda e Partisë Socialiste nuk ka ndryshuar, janë duke punuar me organizimin e brendshëm, me listat ku dalëngadalë do shpallim kandidatët tanë’’, tha ai.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.