Prishja e banesës te “Petro Nini Luarasi”, IKMT nuk ka lidhje me situatën

TIRANË, 11 mars/ATSH/-IKMT nuk ka lidhje me situatën e krijuar pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku janë raportuar përplasje mes banorëve të zonës dhe policisë.

Banorët kundërshtojnë prishjen e banesës, pasi më herët ishte gjykata që i ktheu truallin pronarit. Ata protestuan duke zënë rrugën e duke u shtrirë për të penguar ndërhyrjen për ta shembur ndërtimin.

Por pronarët e ndërtesës thonë se kanë dokumente të rregullta, duke saktësuar se toka është në pronësi te shtetit.

Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të hapur rrugën ndërsa janë shoqëruar disa nga banorët. Ndërkohë që është dashur edhe ndërhyrja e zjarrfikësve për shkak të një zjarri që shpërtheu në ndërtesën që do të shembet.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, nisur nga një situatë e zhvilluar sot në Tiranë, është i detyruar të bëjë për disatën herë të njëjtin sqarim: IKMT është akronimi i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”, lexohet te njoftimit IKMT.

“Nuk ka lidhje dhe nuk ushtron asnjë detyrë dhe përgjegjësi mbi institucione të tjera që mund të veprojnë për një arsye, apo tjetër. IKMT i ka të përcaktuara me ligj veprimet e saj dhe ndërhyrja e ndodhur sot në Tiranë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” nuk është kompetencë e IKMT”, theksohet te njoftimi.

“IKMT u lutet medieve dhe gazetarëve të jenë më të kujdesshëm në lajmet e tyre, pasi një neglizhencë e tillë, apo mosnjohje elementare e institucioneve për të cilat shkruhet, vepron veç negativisht mbi marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve”, vijon më tej njoftimi. /i.vata/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.