Policia detyrimi ligjor të mbështesë përmbarimin, por edhe të jetë dinjitoze dhe efikase

TIRANË,11 Mars /ATSH/ – Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj ka reaguar sot ndaj pranisë së Policisë së Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor, mbi një vendim gjykate të formës së prerë për prishjen e një banese në kryeqytet.

Lleshaj ka theksuar se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të mbështesë përmbarimin, por ka edhe detyrimin të jetë dinjitoze dhe efikase.

“Mirëkuptim të plotë për reagimet ndaj pranisë së Policisë Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor, mbi një vendim gjykate të formës së prerë. Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të mbështesë përmbarimin, por ka edhe detyrimin të jetë dinjitoze dhe efikase. Kjo s’ka ndodhur në këtë rast!”, është shprehur Lleshaj.

Ministri i Brendshëm, ka reaguar pas situatës së tensionuar të krijuar sot në afërsi të gjimnazit “Petro Nini” në kryeqytet, ku përmbaruesit kishin shkuar të shembnin një banesë, tokën e të cilëve do ta marrin ish-pronarët.

Gjatë protestës, banorët rezistuan duke u përplasur me policinë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.