Nuk dorëzoi mandatin, Hajdari: Parlamenti i jep oksigjen demokracisë

TIRANË, 11 mars/ATSH/ – Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari do të vazhdojë që të jetë pjesë e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Deputetja e PD e cila është distancuar nga djegia e mandatit të saj, në një intervistë për VOA shprehet se Parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend dhe se ky është vendi ku deputetët përfaqësojnë popullin.

“Parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin, prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri e lartë që ndiej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament është vendimi i duhur që i shërben të ardhmes së Shqipërisë.Ky vendim ka lidhje me Kushtetutën tonë. Unë nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjial, që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesit të Shqipërisë. Më vjen keq nëse unë zhgënjej partinë time në këtë mes, por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë mbi të gjitha”, – tha Hajdari.

E pyetur rreth një përjashtimi të mundshëm të saj nga Partia Demokratike, Rudina Hajdari thekson se kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë brenda kësaj force politike, pasi sipas saj ka ndodhur edhe dy herë më parë me babanë e saj, Azem Hajdari.

“Dua t’i kujtoj PD se kjo nuk është hera e parë që e bën këtë. Ka ndodhur dy herë edhe me tim atë.E kam shumë të vështirë të luftoj përkrah një partie si LSI. Nuk e bëj dot sepse është një çështje parimore për mua. Po të hapësh raportet e OSBE/ ODIHR, ajo është një nga partitë që ka patur shumë probleme kur vjen fjala për këtë fenomen”, – u shpreh Hajdari.

Rudina Hajdari është deputetja e dytë në listën e PD-së, pas deputetit Myslym Murrizi, që nuk pranon të djegë mandatin.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.