“Juventus” me sytë nga Ronaldo për të kaluar “Atletikon”

TIRANË, 11 mars/ATSH/-“Juventus” do të luajë të martën në mbrëmje ndeshjen e sezonit. Bardhezinjtë do të sfidojnë “Atletiko Madrid” në ndeshjen e kthimit të turit të 1/16-ve të Ligës së Kampionëve, pas humbjes 2-0 në Spanjë, dy javë më parë.

“Gjithçka për gjithçka, nuk ka llogari”, shkruan Sportmediaset, e cila thekson se bardhezinjtë do t’i besojnë Ronaldos ndeshjen e vitit, investimit 100 milionë euro të “Zonjës së Vjetër”, si dhe një stadiumi të tejmbushur dhe ku pritet një atmosferë e nxehtë. Një vullkan që është gati të përpijë spanjollët e drejtuar nga Diego Simeone.

Mbrojtja e “Juventusit” pritet të jetë me tre lojtarë, Bonuçi, Chiellini dhe Caceres, teksa De Sciglio e Barzagli janë të pa disponueshëm, Kapiteni bardhezi, Chiellini do të ketë nesër një mbrëmje speciale, ndeshjen e 500 me fanellën bardhezi. Në mesfushë pritet të jenë Cancelo e Bernardeschi nga krahët. Matuidi, Pjanië e Emre Can në qendër, ndërsa në sulm pritet dyshja Mandzukiç dhe Ronaldo.

“”Juventus” nuk vdes kurrë, kush e mendon për të mbaruar nuk e njeh. “Juventus” në njëfarë mënyre është e pavdekshme, veçanërisht kur e godasin. Me qetësi gjykimet, më parë duhet parë rezultati final. “Juventus” ka shtatë jetë”, është shprehur ish tekniku legjendar bardhezi Marcello Lippi, gjatë një interviste për “La Reppublica”

“Kjo është një skuadër veteranësh, që dinë si t’i menaxhojnë momentet e vështira. Duhet qetësi në ndeshje si kjo dhe golat vijnë vetë. Të diskutosh Allegrin pas 5 kampionatesh të fituara dhe dy finale të Ligës së Kampionëve s’ka kuptim”, vijon Lippi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.