Fondi i Komuniteteve, rikonstruktohet pallati i vjetër në Njësinë 7

TIRANE, 11 mars/ATSH/- Banorët e një pallati në Njësinë 7 u bënë bashkë dhe aplikuan pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar nga Fondi i Komuniteteve.

Rezultati është rikonstruksioni i pallatit të tyre, i cili më parë ndodhej në një gjendje të keqe dhe me lagështirë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi transformimin e pallatit falë bashkëpunimit mes banorëve dhe zgjedhjes së administratorit.

Ndërkaq,  Veliaj njoftoi se festimet e Ditës së Verës do të zhvillohen të dielën, në 17 Mars, pasi në datën 14 Mars parashikohet mot i ftohtë dhe me shi, i papërshtatshëm për mbi 50 aktivitetet e përgatitura për këtë ditë feste. Qytetarët janë shprehur pro zhvillimit të festimeve në datën 17 Mars edhe nga sondazhi i zhvilluar në rrjetet sociale nga Bashkia e Tiranës, ku morën pjesë më shumë se 10 mijë persona.

“Falë 10 mijë votave të qytetarëve kemi vendosur që Ditën e Verës ta festojmë në ditë me diell dhe jo me shi. Në fund të ditës, festojmë jo për qejf të kalendarit, por për qejf të njerëzve. Meqë shumica e njerëzve duan që të mos lagen dhe fëmijët ta gëzojnë Ditën e Verës për t’u argëtuar në Tiranë, ku do të ketë rreth 50 aktivitete, me mbi 80% të votave qytetarët vendosën se duan ta festojnë të dielën, sidomos edhe ata që janë në punë private dhe ndoshta të enjten nuk kanë mundësi”, tha Veliaj.

Përfaqësuesja e komunitetit të banorëve vlerësoi nismën e suksesshme të Bashkisë së Tiranës, e cila u vjen në ndihmë qytetarëve për rikonstruksionin e pallateve me “Fondin e Komuniteteve” për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës. “Në emër të të gjithë banorëve, ju falenderoj për ndihmën që na dhatë për të riparuar pallatin tonë. Jemi shumë të kënaqur si nga bashkia, edhe nga banorët. Mbi të gjitha kemi bërë termoizolimin e tarracës, kemi hequr depozitat dhe i kemi sistemuar në një vend, kemi ujë 24 orë, kemi vendosur edhe pompat, ndaj jemi shumë të kënaqur”, tha ajo.

Bashkia e Tiranës mbështeti me 50% të investimit, banorët e këtij pallati. Pas kësaj, ndërtesa u vesh me sistem kapot, ç’ka mundëson uljen e kostos së energjisë për banorët. Këtë vit, vetëm në 3 muajt e parë, janë kryer 15 aplikime të reja për Fondin e Komunitetit./a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.