Anijet e specializuara të projektit TAP, përgatitjet në portin e Durrësit

TIRANE, 11 mars/ATSH/ – Një grup mjetesh lundruese të specializuara që po punojnë për realizimin e projektit të Gazjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP) në pjesën nënujore kohët e fundit janë ankoruar herë pas here në kalatat e portit të Durrësit.

Anije të tipit rimorkiator, dragë thelluese apo ponton kanë lundruar drejt Durrësit apo brigjeve në jug të vendit tonë në mbështetje të procesit të këtij projekti të rëndësishëm në pjesën nënujore që lidh brigjet e Shqipërisë me ato të Italisë jugore.

Personeli i anijes “Castoro 10” me gjatësi 139 metra dhe 31 metra gjerësi, për disa javë radhazi punoi në portin më të madh të vendit për përgatitjen e procesit të shtrimit të tubacioneve. Tre vjet më parë në portin e Durrësit u realizua shkarkimi nga anijet në kalata për më shumë se 130 mijë tonë tuba çeliku gjithsej, të cilat u shtruan kryesisht në territorin shqiptar ku kalonte gjurma e gazsjellësit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.