Spiropali: Dialog me opozitën brenda kornizës kushtetuese

TIRANË, 9 mars /ATSH/ “Parlamenti është legjitim, qeveria legjitime, opozita ka zgjedhur të dalë nga skema, që është një harakiri kolektiv, po është zgjedhje e saj”,  theksoi zëdhënësja e Qeverisë dhe ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në një studio televizive në lidhje me situatën politike në vend.

Sipas saj, tashmë, ka nisur në parlament procesi i zëvendësimit nga listat, e gjitha në bazë të ligjit.

E pyetur nëse qeveria po zgjedh opozitën, Spiropali theksoi se listat e kandidatëve i ka bërë PD dhe LSI. “Kush mund të thotë se Kryemadhi ishte e denjë për parlamentin dhe zonja nga Dibra jo, apo Myslym Murrizi i PD-së. Ne nuk e zgjedhim dhe nuk mund ta zgjedhim opozitën, kjo e fundit zgjodhi të dalë nga parlamenti”, theksoi Spiropali, duke shtuar se opozita i ka bërë hesapet pa hanxhinë.

Ajo tha se shumica është e gatshme të kryejë dialog me opozitën vetëm brenda kornizës kushtetuese. “Kjo është republikë parlamenare dhe qeveritë nuk rrëzohen me pazare. Ne nuk jemi në kushtet që do ulemi me opozitën të bëjmë pazar dhe tani do ndajmë në tavolinë pushtetin. Kjo nuk mund të ndodhë ashtu si nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Parlamenti do vazhdojë të funksionojë se kushtetuta e detyron qeverinë dhe shumicën të bëjë detyrën dhe t’u përgjigjet qytetarëve që e kanë votuar. Nuk mund të shantazhohemi dhe të merremi peng nga opozita dhe sa më shpejt që ta kuptojnë gabimin që kanë bërë, aq më mirë do jetë e të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, për të parë sa mbështetje ka”, theksoi Spiropali.

Në lidhje me zgjedhjet lokale, ajo tha se kandidatët që do paraqiten sipas afateve. “Besojmë se do regjistrohen se nuk besojmë që kanë humbur arsyen deri në këtë pikë, ka mendje ende racionale që do bëjnë thirrje të marrin pjesë në zgjedhje. Ne do paraqitemi dhe do shohim se cilët do paraqiten për garë”, tha ajo.

Në lidhje me dhunën në protestat e opozitës, Spiropali theksoi se nuk kanë nevojë për koment, pasi janë në sytë e publikut. Sipas saj, janë akte të dhunshme të nxitura politikisht, të organizuara.

“Brenda dhjetë minutavem gjithë krerët e opozitës bënin thirrje për të nxitur dhunë sikur ishim në vitin 1998 dhe po sulmohej për të marrë kryeministrinë”, tha ajo, duke shtuar se qeveria dhe Kuvendi janë institucione e bazohen tek legjitimiteti dhe nuk janë godina.

“Këtë e thonë njëzëri partnerët tanë ndërkombëtarë, e dënojnë më forcë, e quajnë dhunë të papranueshme në të gjitha nivelet, si djegien e mandateve si dhunën”, theksoi Spiropali.

Dëmin, tha ajo, nuk po ia bëjnë qeverisë e shumicës, po biznesit të vogël pranë Kuvendi, operatorëve turistikë që kishin planifikuar të sjellin turistë, investitorëve, një dëm ekonomik për shqiptarët.

“Ne jemi të vendosur të garantojmë sigurinë në vend, dhe i përgjigjemi me përgjegjshmëri protestave duke izoluar elementët e dhunshëm, garantojmë që do bëjmë maksimumin për dialog me opozitën brenda kornizës kushtetuese. Po jo me diskursin e qeverive tranzitore, se do pengoheshin reformat siç artikuluan edhe delegacioni i PE-së apo ambasada amerikane”, përfundoi ajo. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.