Shafrani indian, bima e mrekullive rritet në Llogora

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ – Lule shafrani, bima e mrekullive që vlerësohet si një prej erëzave më të shtrenjta indiane, rritet natyralisht në një sipërfaqe të konsiderueshme në Parkun Kombëtar të Llogorasë, Vlorë.

Nexhip Hysolakoj, nga Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, tha për ATSH-në, se “në Parkun Kombëtar të Llogorasë, Vlorë, rriten 52 lloje bimësh aromatizuese medicinale, me vlera të rralla, ndër të cilat edhe bima e shafranit, të cilën e shërbejnë si çaj për vizitorët e turistët e ndryshëm, një pjesë e mirë e lokaleve që janë në Parkun Kombëtar të Llogarasë” .

Hysolakoj shprehet se, në kuadër të projektit përmirësimi i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtuara detare dhe bregdetare, që zbatohet nga PNUD dhe financohet nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS) ne synojmë të sigurojmë një mbrojtje afat gjatë të biodiversitetit unikal shqiptar për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, në kompleksin natyror zonë të mbrojtur Karaburun, Llogara, Sazan.

Sipas tij, në Parkun Kombëtar të Llogorasë, gjenden specie të veçanta e të radha, sidomos ato endemike dhe subendemike. Gjithashtu, po bëhet një studim i plotë për bimësinë barishtore (lulet).

Hysolakoj u shpreh se, bimësia e radhë në këtë zonë është një vlerë e shtuar në informimin e turistëve dhe vizitorëve të shumtë që vijnë në qendën e re për turistët dhe vizitorët që është ndërtuar në Parkun Kombëtar të Llogorasë, me mbështetjen e BE-së.

“Shqipëria promovon bukuri të tilla dhe mbrojtja e parqeve natyrore siç është edhe ekosistemi Karaburun, Llogora, Sazan, është shumë e rëndësishme për edhe për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe rritjen e numrit të turistëve gjatë gjithë muajve të vitit”, – tha ai.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.